Safet Gjici është i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH. Presidenti i Kukësit ka folur për fitoren kundër Skënderbeut, por gjithashtu edhe për titullin kampion. Befasia ishte kur u pyet për premion prej 100 mijë eurosh, por ai e mohoi kategorisht këtë dhe deklaroi që nuk do të shpërblejë skuadrën.
“Më pëlqeu ekipi në fushë. Kishte tensionin e vet. Donim dy rezultate, barazimin ose fitoren. Gjithë kampionatet në Shqipëri janë kontestuar. Ky kampionat u mor nga ne me meritë. Asnjë skuadër deri më sot nuk ka arritur të mos shënojë asnjë humbje. Kukësin u munduan ta pengonin, t’i vendosnin stërkëmbësha rrugës.
Problemi është t’i marrim gjërat me qetësi. Unë thashë se kam bërë shumë kritikë. Na kanë ndihmuar shumë disa teknicienë që ndodhen nëpër studiot tuaja. Me një përvojë prej 5 vitesh ne nisëm të rregullonim problemet. Më në fund titulli është i Kukësit dhe i kuksianëve. Ndeshja kundër Skënderbeut ishte me një prezencë të jashtëzakonshme. Prisja që të kishte trazira dhe gjëra të tjera.
Unë nuk kam premtuar asnjë premio. Kush e ka thënë le t’ua japë. Unë do ta falënderoj. Unë s’kam premtuar premio dhe s’do t’u jap premio. Na presin sfida të mëdhaja. Ne nuk jemi për shkurt, do të vazhdojmë. Kukësi i ka dhënë më shumë këtij futbolli se sa i ka marrë.
Lojtarët e SKënderbeut u nxituan më shumë se ne. Me sa pashë unë ishin shumë të tensionuar. Nuk e di se pse Salihi e grisi kartonin e kuq”, përfundoi Gjici.