Ardit Hoxhaj, sulmuesi 21-vjeçar i skuadrës mallakastriote është një nga më të kërkuarit në merkaton e verës. Një nga talentet e zbuluar nga trajneri Hulian Rubio, por që klubi vlonjat e degdisi në Himarë, e më pas kartonin e tij e përvetësoi Bylisi, i cili e rriti si lojtar dhe tashmë ai është një nga më të kërkuarit në merkaton e verës.
Kontrata me Bylisin e mban peng futbollistin e talentuar, i cili kaloi me sukses provën te PAS Janina një muaj më parë, por që presidenca mallakastriote kërkoi 250 mijë euro për të, përkundrejt 30 mijë eurove që ofroi klubi grek. Më pas AEL Larisa kërkoi shërbimet e sulmuesit, por këtë herë pa shpenzuar asnjë para, gjë që nuk e pranoi në mënyrë të prerë klubi ballshiot.
Oferta të majme kanë nisur të vijnë në drejtim të djaloshit të talentuar edhe nga klube shqiptare. Skuadra të elitës duan shërbimet e tij, pasi kanë rënë në gjurmët e talentit dhe u pëlqen që ta kenë në ekip, ndërsa mësohet se shuma maksimale që ka arritur të sigurohet është 50 mijë euro, por që sërish Bylis i ka refuzuar.
Nuk dihet sesi do të shkojnë ngjarjet për sulmuesin, i cili nëse do të kthehej në Kategorinë e Parë do të ishte një humbje e madhe për të. Por, çdo gjë varet nga presidenti Kapllanaj, i cili duhet të japë “ok”-ejin për transferimin e talentit vlonjat.