Pas çdo stuhie, del dielli. Kjo shprehje duket se i shkon për shtat skuadrës së Skënderbeut, që pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për të mos luajtur në Kupat e Europës, tashmë ka arsye për të qenë disi më e qetë. Ende nuk është zyrtarizuar, por Orges Shehi do të jetë trajneri i ri i korçarëve.
Supersport raporton se “gardiani” i njohur ka bindur edhe pjesëtarët e tjerë që punonin me teknikun Ilir Daja, si Ilir Bozhiqin dhe Ard Memën për të qenë pjesë e stafit të Skënderbeut edhe për edicionin e ri. Gjithashtu një emër i ri që do t’i shtohet skuadrës së trajnerëve, është ai i Edlir Tetovës. Me këtë të fundit, Shehi ka luajtur më parë te Teuta, ndërsa tashmë do të përgatisin bashkë ekipin bardhekuq.