Partizani do të luajë të dielën kundër Teutës, ndeshje e vlefshme për javën e 25-të të Superiores. Pikërisht për këtë takim, klubi i kuq ka njoftuar se ka vendosur të shlyejë gjysmën e mbetur të dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe të rikthejë tifozët në stadium.
Një lajm i mrekullueshëm ky për mbështetësit e Partizanit, të cilët do të kenë mundësi të jenë pranë ekipit të tyre në “Selman Stërmasi”. Përmes kanalit zyrtar, 15-herë kampionët e Shqipërisë bënin me dije: “KATEGORIA SUPERIORE / JAVA 25
FK PARTIZANI – KF TEUTA
Datë 17 Mars ora 17:00, stadiumi “Selman Stërmasi”
Klubi njofton se ka vendosur të shlyejë financiarisht gjysmën e dënimit të dhënë nga komisioni i disiplinës dhe të rikthejë publikun në stadium për takimin e ditës së dielë ndaj Teutës. Skuadra ka nevojë për lojtarin e 12-të, të dhurojmë mbështjetje masive, atmosferë festive si e ka traditë vetëm familja e Kuqe”.
Kujtojmë që ndeshja mes Partizanit dhe Teutës është planifikuar të luhet të dielën në orën 17:00. Kësisoj, puna për të besuarit e Bledi Shkëmbit vështirësohet disi pasi janë të detyruar të luajnë përballë publikut të kuq, që në sfidat e fundit kanë qenë të shumtë në mbështetje të ekipit të tyre.