“I radhës do të jetë Thomas Strakosha”, thuhet në fillimin e shkrimit të një prej mediave të shkruara italiane. Bëhet fjalë për rinovimin e kontratës së “gardianit” të portës kuqezi në radhët e skuadrës së Lazio-s.
Portieri shqiptar së bashku me pesë lojtarë të tjerë të moshës së re në radhët e Lazio-s do të rinovojnë kontratën, ndërsa për Strakoshën thuhet tekstualisht se do të jetë kontratë pesë vjeçare.
Kontrata e Thomas Strakoshës përfundon në verën e vitit të ardhshëm, ndërsa rinovimi i saj do të jetë deri në verën e vitit 2022, që do të thotë se “gardiani” që u grumbullua për herë të parë nga De Biazi në takimet e eliminatoreve të Botërorit, do të ketë të ardhme të sigurt. Ai ka zhvilluar disa ndeshje si titullar me ekipin kryeqytetas, ndërsa pritet që shumë shpejtë të marrë vendin e Frederico Marchetit.