Zëvendës-trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Paolo Tramexani, në prag të startit të Serisë A ka dhënë një intervistë për “LazioPress.it”.
Ndër të tjera, ndihmësi i De Biazit është ndalur edhe te Etrit Berisha, i cili po mendon largimin nga Lacio për shkak se nuk konsiderohet si titullar te bardhekaltërit. “Berisha dhe Marketi janë dy portierë shumë të mirë. Nuk do të doja të isha në këto momente në vendin e trajnerit të Lacios, sepse do ta kisha të vështirë të zgjidhja se cilin prej tyre do të vendosja titullar.
Berisha është përmirësuar së tepërmi që kur ka shkuar te Lacio. Sigurisht që rritja profesionale vjen edhe në përpjestim të drejtë me ndeshjet që ai ka zhvilluar si titullar gjatë sezonit të shkuar. Berisha ka të dhëna shumë të mira që mund t’i dallojnë të gjithë tek ai. Do të bëhet një portier i madh dhe shpresoj që këtë gjë ta bëjë me fanellën e Lacios. Në kombëtaren e Shqipërisë, ai është një pikë rreferimi për ne.
Marketi gjithashtu është një portier shumë i mirë, por jam i sigurt se nëse Berishës do t’i vinte rasti për të qenë titullar nuk do të zhgënjente”, u shpreh Tramexani për “LazioPress.it”.