Iu bashkua Luftëtarit në merkaton e verës, por tashmë ka zgjedhur t’i bashkohet skuadrës së tij të vendlindjes, Elbasanit. Arsen Kasa mesfushori 20-vjeçar ka dhënë një prononcim të shkurtër për neësport.al. Gjithkujt mund t’i duket i çuditshëm fakti, që të lësh Superioren për Kategorinë e Dytë është kthim prapa, por Kasa shpjegon arsyet që e çuan të merrte këtë vendim.
“U largova sepse te Luftëtari nuk kisha hapësira. Për moshën që kam, mendoj se më duhen disa minuta më shumë në këmbët e mia“, thotë fillimisht ai.
I pyetur më pas se pse u kthye pikërisht te Elbasani, 20-vjeçari u shpreh: “U ktheva te Elbasani sepse dua ta ndihmoj që të ngjitet në nivele më të larta. Erdha në Elbasan për të ndihmuar ekipin e qytetit ku jam lindur“.
Merkato e dimrit te Luftëtari ka qenë me shumë “hyrje-dalje”, megjithatë ekipi gjirokastrit duket shumë i konsoliduar. Me në krye trajnerin Lika, gjirokastritët mbeten një nga skuadrat për t’u mundur në Superiore. Edhe pse i larguar, Kasa nuk harron të japë mendimin e tij për bluzinjtë, teksa thotë: “Luftëtari ka bërë shumë afrime të mira në merkaton e janarit. Mendoj që në përfundim të këtij sezoni do të jetë në katër vendet e para“, përfundon mesfushori elbasanas për neësport.al.