Në sfidën kundër Skënderbeut, mbrëmjen e sotme do të zbresë në fushë dhe formacioni i parë i trajnerit Ernest Gjoka, Tiranasi ka punuar për afro një muaj me verilindorët, të cilët pothuajse kanë marrë formën e duhur për t’u përballur me skuadrat e tjera në vend.
Ndryshimet janë të dukshme me largimin e disa prej titullarëve, ndërsa tekniku Gjoka ka pasur preferenca për zgjedhjet që nga minuta e parë. Në këtë moment formacioni që është diskutuar te Kukësi ka disa ndryshime, por edhe rikthime në formacion.
Skema që do të përdoret pritet që të jetë 4-3-1-2, ku stafi teknik ka preferuar që të jetë agresiv që në start. Sa i përket prapavijës, Koliqi merr vendin e titullarit edhe për këtë sezon, ndërsa nga krahët do të luajnë Arbri dhe Hallaçi. Në qendër të mbrojtjes është vendosur Shameti me Allën.
Në mesfushë do të inkuadrohen Hasani, Musolli dhe Dvornekoviç, ndërsa para tyre është braziliani Karioka. Në sulm luhet me Pejiç dhe Eminin, të cilët do të sigurojnë golat për verilindorët.
Në letër skuadër e frikshme, por që pritet të tregojë vlerat e saj mbrëmjen e sotme përballë Skënderbeut. Por, nuk përjashtohen mundësitë që në rast të një humbjeje të ketë ndryshime te verilindorët sërish.