Trajneri i Skënderbeut Orges Shehi doli para kamerave në konferencën e sotme për shtyp për të analizuar gjendjen e kampionëve në fuqi në prag të takimit të nesërm ndaj Luftëtarit në shtëpi.
Numri 1 i pankinës bardhekuqe pranoi vështirësitë që po kalon skuadra prej 3 javësh dhe pavarësisht situatës të brendshme jo të mirë që po kalon rivali gjirokastrit, skuadra duhet të japë nesër më shumë se 100% në fushë.
“Situata është e tillë, që duhet fituar patjetër ndeshja e radhës. Duhet të japim jo 100%, por 120% për ta fituar këtë ndeshje. Kemi edhe dy ndeshje për ta mbyllur vitin. Sigurisht që duam të përforcohemi për vazhdimin e kampionatit, por është shpejt për të folur. Kur afron merkatoja, lakohen emra të ndryshëm, por nuk ka asgjë konkrete.
Mungesat? Kemi një grup lojtarësh që ka marrë minuta dhe tek ata bazohemi. Kemi Krasniqin që nuk është ende gati për të luajtur, ndërsa Dita është me me katër kartonë dhe nuk luan. Të shohim për formacionin.
Rivali? Luftëtarin e shoh një kundërshtar shumë të fortë, pavarësisht se mund të ketë disa probleme, që mund ta karikojnë më shumë, sepse është fundit dhe lojtarët duan të japin gjithçka nga vetja. Janë një skuadër, që nuk i mungon kualiteti dhe e shoh shumë të vështirë ndeshjen. Nuk shoh krizë dhe nuk duhet të jemi në ‘gjumë’, sepse kundërshtari luan mirë, edhe në ndeshjen e fundit nuk i munguan rastet.
Gara për titullin? Kampionati është një garë dhe duhet të shohim edhe rivalët tanë. Na interesonte ai barazim i djeshëm për të rikuperuar pikët që kemi lënë javët e fundit, duke besuar se do të fitojmë nesër ndaj Luftëtarit.
Mbledhjet? Mendoj se në të tilla situata mbledhjet nuk janë për të gjetur fajtorët, apo për të goditur dikë. Janë mbledhje normale dhe përgjigjen e lojtarëve unë e kam marrë prej kohësh, nga mënyra si ata stërviten. Pres që ata gjithçka ta japin edhe në fushë tani.
Ecuria negative? Na ka munguar grinta, sidomos në ndeshjet pa tifozë, kurse në ndeshje të tjera na kanë goditur episodet dhe fati. Për të fituar duhet të shënosh dhe na del për detyrë të shkojmë te porta. Të shkojmë te metrat e fundit, por golin nuk e pres vetëm nga sulmuesit, edhe nga ata që e mbështesin. Me Kukësin na munguan rastet, ndërsa me Teutën jo, por është shumë e rëndësishme të gjejmë golin”, u shpreh për mediat Shehi.