Skënderbeu dhe Kukësi përballen për herë të parë këtë sezon për të konfirmuar skuadrën më në formë të momentit dhe për të marrë përkohësisht kreun e kampionatit shqiptar.
Përpara nisjes në Korçë, tekniku i verilindorëve Armanado Cungu ka peshuar rëndësinë e ndeshjes, kundërshtarin, si dhe ka konfirmuar se për supersfidën e nesërme do të sjellë ndryshime në formacionin e Kukësit.
“Natyrshëm shkojmë për maksimumin në çdo ndeshje, nuk bën përjashtim as Skënderbeu, me gjithë respektin që kam për ta. Nuk janë më të dobët se vitet e tjera, është një ekip kompetitiv, me lojtarë që kanë kontribuar edhe në vitet e tjera, pavarësisht minutazhit. Kanë një grup lojtarësh të talentuar dhe deri tani kanë bërë mirë. Kjo nuk do të thotë se i druhemi, e respektojmë për sa i takon. Por e kam thënë se duhet të respektojmë veten. Nëse tregohemi seriozë, me shpirt të lartë gare, atëherë do të dalim me rezultat të mirë edhe në Korçë. Do të shohim e të bëjmë sa na lejohet të bëjmë rotacion. Nesër do të ketë diçka e tillë. Kemi bërë tre fitore me këtë rezultat. Ndoshta kemi gabuar pak, kemi luajtur mirë, nuk kemi shfrytëzuar rastet. Jemi treguar pragmatistë dhe kjo gjë më pëlqen. Ekipi di të vuajë dhe nuk pëson. Megjithatë do kisha preferuar të fitonim edhe më thellë. Shoh tension për të mbajtur rezultatin, pasi 1-0 nuk ke asnjë garanci. Javët e para ekipi nuk ishte në maksimum, Cuculi erdhi me vonesë. Kemi ende për të bërë në finalizim.”, deklaroi në konferencën për shtyp trajneri shkodran Armando Cungu.