Qendërmbrojtësi i Kukësit Gëzim Krasniqi këmbëngul që skuadra e tij të mendojë për të fituar titullin dhe jo të shqetësohet për ecurinë e rivalëve direkt Partizanin. Në një prononcim për faqen e klubit, futbollisti u përgjigj se nënkampionët e Shqipërisë duhet t’i shkojnë deri në fund misionit për t’u shpallur kampionë për herë të dytë në histori.
“Faza përgatitore? Të them të drejtën jemi përgatitur mirë. Stërvitjet në Turqi të bëjnë të fitosh shumë dhe ka terrene e kushte të mira. Ekipi po përgatitet mirë dhe i kemi marrë maksimumin kësaj faze. Në këtë fazë bashkohet më shumë grupi dhe atmosfera është më pozitive.
Objektivi i sezonit? Ne jemi këtu për të fituar titullin dhe jo për të përmendur Partizanin. Nuk duhet të merremi me emrat e kundërshtarëve, por duhet të bëjmë punën tonë për të marrë maksimumin në çdo ndeshje pasi janë 4-5 ekipe aty-aty me pikë. Ne do të synojmë t’i shkojmë deri në fund kësaj rruge që kemi nisur. Do ta fitojmë patjetër edhe ndeshjen e parë me Laçin”, u shpreh Krasniqi.
Skuadra e Armando Cungut arriti të merrte fitoren e parë në fazën përgatitore dje ndaj kazakëve të Shakhtar Karagandyt falë golave të sulmuesit Vasil Shkurtaj dhe mesfushorit Arbër Çyrbja.