Elton Kale ishte lojtari më i përfolur në merkaton e verës në kampionatin shqiptar. Mesfushori brazilian është pa skuadër, pasi tashmë duhet të zgjidhë problemin e kontratës me klubin e Kukësit. Verilindorët pretendojnë se shtatshkurtri juridikisht është edhe një vit pjesë e tyre sipas asaj që është e shkruar në kontratën mes palëve. Megjithatë vetë braziliani ka theksuar se gjithçka është falsifikuar nga drejtuesit e klubit dhe kërkon që të jetë lojtar i lirë. Interes për të kishte skuadra e Flamurtarit që ishte gati t’i plotësonte kushtet financiare.
Por, fillimisht ai duhet të marrë lejekalimin nga Kukësi. Çështja ka shkuar në FIFA, por ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare. Në këtë mënyrë Superiorja ka humbur një lojtar me mjaft cilësi në mesin e fushës. Me cilësi të jashtëzakonshme teknike, por edhe potent në dyluftimet një për një, Kale deri më tani nuk ka mundur të debutojë me vlonjatët. Kësisoj verilindorët i kanë prishur punë Flamurtarit, por kanë ulur edhe vlerat e Superiores duke mos lejuar që një lojtar i tillë të jetë pjesë e Superiores.