Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar në këto momente një takim me të rinjtë në qytetin e Elbasanit.
Si zakonisht, kreu i Qeverisë edhe sot në Elbasan ka dashur të përziejë pak politkën me futbollin në fjalimin e tij, ndërsa mori shkak nga ndeshja e parë gjysmëfinale e Champions League që do të luhet sot në mbrëmje mes Real Madrid dhe Atletico Madrid.
“Se sot është edhe ndeshja mes Realit dhe Atleticos dhe do luajnë si kundërshtarë Ronaldo me atë tjetrin”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij, duke kërkuar ndihmë nga publiku për të gjetur emrin e Griezman.
Në këtë moment, njëri prej të rinjve prezent në këtë takim me Kryeministrin i thotë emrin e Messit, por Rama ia kthen: “Jo, jo nuk e ka Messi”.
Një tjetër qytetar i “vjen në ndihmë”, por sërish duke i thënë emrin gabim të sulmuesit të Atleticos: “Klinsman e ka”, ndërsa kryeministri Rama vazhdon: “Po, Ronaldo kundër Klinsman”.
Gjithsesi, edhe këtë herë nuk “goditi në shenjë”, pasi Klinsman është ish-sulmues i Gjermanisë në vitet ’90 dhe sulmuesi i Atleticos për të cilin Rama po mundohej t’i gjente emrin quhet Griezman.