Në fillim të sezonit shumë pak e kishin menduar se Luftëtari do të kishte këtë ecuri që ka sot dhe ndoshta me të drejtë duke ditur natyrën paragjykuese të opinionit sportiv kur bëhet fjalë për skuadrat që vijnë nga një kategori më poshtë.
Të vetmit që besonin te aftësitë e kontingjentit që kishin në dispozicion ishin drejtuesit e klubit gjirokastrit dhe stafi teknik, ndoshta edhe një pjesë e tifozëve bluzi që kishin parë stërvitjet e skuadrës gjatë verës dhe kishin ndjekur miqësoret e ekipit të tyre.
Superliga startoi keq për Luftëtarin, pas humbjes ndaj Partizanit 1-0, mjaft e diskutuar për shkak të atij 11-metërshi që fitoi Jurgen Bardhi e që u shndërruar në gol nga Batha.
Humbja ndaj Flamurtarit 5-0 në Vlorë bëri që shumë të nxitonin në deklaratat e tyre duke thënë se Luftëtari “ra nga kategoria”.
Por, nuk ndodhi kështu, pasi sot që po flasim, Luftëtari renditet në vend të 4-t në Superligë, ndërsa ka ftuar të bëjnë diferencën në “skenën” e madhe, futbollistë si Ruçi, Bojom, Rroca, Ramadani, Beqiri, Rexhinaldo e mbi të gjitha Bregun dhe Abazajn.
Ky i fundit, vetëm 20-vjeç po “çmend” Superligën, sidomos me ndeshjet e fundit. Pasi bëri me “dhimbje koke” Starovën dhe Partizanin me golin që vulosi fitoren 2-0 të Luftëtarit, një gjë të tillë e përsëriti edhe dje kundër Korabit me golin e dytë të takimit në suksesin 2-0.
Ish-sulmuesi i Elbasanit është pa diskutim zbulimi i Superligës në këtë sezon. Ka luajtur 20 ndeshje, 19 si titullar, plot 1609 minuta dhe është kthyer që tani në objektiv të “big-ëve” të kampionatit për merkaton e verës.
Një sulmues si Abazaj, sigurisht që do t’i bënte punë çdo ekipi të Superligës, e sidomos me aftësitë që zotëron dhe moshën e re. Por, për fatin e mirë të Luftëtarit dhe të keqin e skuadrave që synojnë të marrin shërbimet e 20-vjeçarit, Kristal Abazaj ka edhe dy vite kontratë me klubin gjirokastrit.
Një strategji me mend kjo e Luftëtarit që ka arritur të “blindojë” një talent si sulmuesi elbasanas.
Nëse do të largohet në verë, gjirokastritët do të humbnin shumë në aspektin sportiv, por sigurisht që do të fitonin shumë në atë financiar, edhe pse kjo e fundit është vërtetuar se nuk është problem në Gjirokastër./ Andi TANKU/ NEWSPORT.AL