Trajneri i Kosovës Albert Bunjaku, nuk do ta ketë aspak të lehtë të përpiloj listën e futbollistëve që do të ftohen për dy ndeshjet e ardhshme kundër Ukrainës dhe Islandës. Kjo pasi ai përballet me probleme të shumta sidomos për ballafaqimin me Urainën, ku pritet të ketë ndryshime të shumta në formacion në krahasim me ndeshjen e fundit kundër Finlandës. Valon dhe Bernard Berisha janë të suspenduar, megjithatë ata do të ftohen për ndeshjen e fundit ndaj Islandës.
Mungesë tjetër e rëndësishme është Enis Alushi që është i lënduar dhe sipas të gjitha gjasave nuk do të ftohet fare. Sport News merr vesh ekskluzivisht, risitë që do të sjellë në listë trajneri Bunjaku.
Anëtari i ekipit norvegjez Odd, Elbasan Rashani do kthehet te Kosova. Në fazën e kualifikimeve në botëror Rashani ishte ftuar vetëm për ndeshjen me Islandën, megjithatë ende nuk ka asnjë minutë në ballafaqimet zyrtare. Që nga atëherë, nuk është ftuar as Bersant Celina, megjithatë tani ai do të jetë pjesë e ekipit A të Kosovës. Ndryshime do të ketë edhe në mbrojtje ku do të rikthehen Alban Pnishi dhe Fidan Aliti.
Ky i fundit tashmë është aktivizuar në disa ndeshje me Skendërbeun brenda dhe jashtë Shqipërisë. Risi tjetër është portieri 20 vjecar i Prishtinës, Visar Bekaj, që do të zëvendësoj Adis Nurkovicin. Ndryshe, për trajnerin Albert Bunjaku, ballafaqimi me Islandën më 9 tetor, shënon ditën e fundit që do jetë në krye të Kosovës, detyrë të cilën e ka mbajtur që më shumë se 8 vjet, që nga Korriku i 2009-tës.