“Eran duhet të dalësh nga loja”, këto duhet të kenë qenë fjalë e trajnerit të Izraelit, Elisa Levy, për kapitenin Zahavi, të cilin e tradhëtuan nervat në minutën e 73-të në përballjen ndaj Shqipërisë të luajtur në vitin 2017-të. Për çdo lojtar, kapiteni duhet të luajë dhe të jetë në fushë për 90 minuta, por për teknikun e Izraelit ndeshja organizohet sipas skemave dhe sigurisht sipas performancës në fushë. Çdokush e dëshiron shiritin e kapitenit, por Zahavi pa një, pa dy e hodhi në tokë dhe u largua drejt dhomave të zhveshjes. Në atë moment, askush nuk u ndje, por më pas grumbullimi i tij në Kombëtare ishte një ëndërr e bukur. Në Izrael nuk mund ta respektonte asnjë më pasi fyu Kombin e tij dhe të gjithë shokët, që janë si luftëtarët që duhet të dalin të fituar dhe të bashkuar nga beteja. U desh shumë kohë dhe Zahavi të ftohej sërish, por sigurisht shiritin e kapitenit mund vetëm ta shihte pasi në krahun e tij nuk do të vendosej kurrë më. Falje publike, stërvitje intensive dhe maksimumi me përfaqësuesen e tij për të zënë një vend në formacion.
E jo më kot përmenda këtë rast që në futbollin shqiptar duhet të jetë shembull për çdo skuadër. Dje, Flamurtari luajti kundër Partizanit, sfidë që u humb me rezultatin 2-0 nga vlonjatët dhe protagonist jashtë fushe u bë një argjentinas, Torasa që me siguri nuk ia di vlerat dhe peshën fanelës së Flamurtarit. Po, po asaj fanele që kanë mbajtur veshur të mëdhenjtë, Vasil Ruci, Mexhit Haxhiu, Rrapo Taho, Afred Ferko e shumë të tjerë që nëse do të kishin muskujt e dikurshëm, pavarësisht rrudhave të moshës, do të hiqnin xhaketat dhe këmbë-zbathur do t’i tregonin çdo ndërkombëtari se sa e rëndë është ajo fanelë. I mbuluar në “ar”, me çdo kërkesë të plotësuar nga presidenca, ky shtatshkurtër me emrin Agustin nuk e pranoka kurrsesi vendimin e trajnerit të tij, Ilir Dajës, për t’u ulur në stol.
Një “timonier” që di më së miri se ç’duhet të bëjnë lojtarët e tij dhe në një moment delikat, siç është humbja, ai vendosi që Torasa të zëvendësohej për t’i lënë vendin Mustafës. Çdo futbollist padyshim kërkon që të luajë, megjithatë asgjë nuk e justifikon veprimin që të flakësh fanelën prej vendimeve të trajnerit. Po ta pyesësh sot mesfushorin, mund të jetë penduar për veprimin e bërë.
Po në të vërtetë, a i njeh ai emrat e lart përmendur? Me siguri që jo, sepse në të kundërt do të falënderonte Zotin dhe presidencën vlonjate që i dha shansin të vishte një fanelë të tillë. Lojtarët janë të shumtë dhe pjesë e organikës. Tashmë trajneri është vendimmarrës për gjithçka dhe në një rast të tillë, i mbetet Ilir Dajës të vendosë për futbollistin e tij.
Nevojat dhe cilësitë teknike, kalojnë në plan të dytë në momentin kur fyhet një qytet. E këtë kush më së miri se Ilir Daja e di? Jo vetëm lart cilësisht në kohën kur ishte lojtar, por edhe i jashtëzakonshëm në pankinë, në “fushën” e trajnerëve. Shuplaka e Torasës për profesorin e tij nuk do të kalojë lehtë, të paktën të gjithë ata që e njohin Dajën, e dinë që kryeqytetasi nuk toleron aspak, për më tepër në sy të gjithë publikut. /Retin TOKA/