Klodian Duro mori skuadrën e Kukësit sezonin e shkuar, duke arritur që t’i japë në fund një trofe të rëndësishëm, Kupën e Shqipërisë. Por, Duro pas përfundimit të kampionatit nuk vazhdoi më në krye të stolit të verilindorëve, duke i hapur rrugë Hasan Likës e më pas Ernest Gjokës. Gjë që normalisht nuk i ka pëlqyer shumë Duros për mënyrën sesi u largua, por prej kohësh ai hap sfidë që nga rrjetet sociale me ata që drejtojnë Kukësin.
Sot, Klodian Duro, nuk e ka vetëm me Kukësin, por qartësisht shprehet për të gjithë ekipet e Superiores, pasi postimi i tij në rrjetet sociale është gjithëpërfshirës: “Në 10 ndeshje, 8 fitore 2 barazime. Në dy faza, Janar – Maj 35 pikë, më shumë se të gjithë ekipet. Europa League. Në fund Kupa e Shqipërisë. Kush do ketë fatin të më sfidojë përveç se duhet të fitojë Kupën e Shqipërisë duhet të fitojë dhe titullin Kampion! Paçi fat!”, përfundon Klodian Duro në postimin e shpërndarë në rrjetet sociale.