Pas ndërprerjes së stërvitjes te Vllaznia për shkak të kërcënimeve të bëra ditën e djeshme ndaj zyrtarëve të klubit, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi deklaroi në emisionin “I ftuari” te “A2 CNN” se te klubi i Vllaznisë po ushtrohet presion i fortë politik dhe kriminal, që ka ndikuar dhe në rënien e skuadrës shkodrane në vitet e fundit. Ndër të tjera, ajo foli dhe për procesin e privatizimit të klubit më të vjetër futbollit shqiptar.
“Besoj që me kalimin e kohës do të mund të tregohet për vështirësitë që klubi ka pasur, do të kuptohet që interesa politike dhe kriminale kanë diktuar edhe mungesën e performancës, duke filluar nga drejtuesit e deri tek ata që luajnë në fushë.
Privatizimi i klubit? Nuk doja që të kishte aludime dhe nuk e kam shtyrë këtë për sa kohë që ishim në Kategorinë e Parë. Vllaznia është ndoshta i vetmi klub i formalizuar sipas ligjit në Shqipëri. Ka disa detyrime, por është ndër klubet më të shëndosha në aspektin financiar”, përfundoi Ademi.