Elis Bakaj ishte absolutisht një prej protagonistëve të ndeshjes Partizani-Kukësi së përfunduar në shifrat 1-3 për kuksianët. Një ndeshje me shumë polemika, ku kartonat në fushë dhe tensioni nuk munguan për 90 minuta në takimin e javës së 20-të. Në “vorbullën” e kartonëve dhe ndëshkimeve u përfshi edhe Bakaj që njihet për reagimet e tij në fushë.
Sulmuesi u ndëshkua me karton të verdhë gjatë ndeshjes dhe në këtë mënyrë plotësoi numrin e katër kartonave të verdhë duke humbur në mënyrë automatike ndeshjen e kësaj jave me ekipin e Laçit. Ish-lojtari i Tiranës nuk u “ndal” me kaq pasi në momentin e zëvendësimit bëri gjeste fyese në drejtim të tifozëve të kuq, gjeste që u ndëshkuan me karton të kuq nga gjyqtari Meta. Por gjithsesi Bakaj e kishte plotësuar numrin e kartonëve dhe do ishte e sigurtë që do mungonte këtë javë.
Komisioni i Disiplinës në FSHF vendos sot që sulmuesi të dënohet me 2 ndeshje pezullim. Një ndeshje që do jetë ajo e rradhës me Laçin dhe ndeshja pasardhëse ajo me Skënderbeun. Por rregullorja parashikon se në ndeshjen e dytë lojtari mund të aktivizohet nëse pezullimi i mbetur paguhet. Në rast pagese që me shumë gjasa do bëhet nga ekipi i Kukësit, Bakaj do jetë i gatshëm kundër korçarëve dhe pavarësisht 4 kartonave të verdhë dhe 1 të kuq, ai sërish do japë kontributin e tij për ekipin verilindor pas 2 javësh pasi në këtë javë të 21-të kundër Laçit është e sigurtë që ai do mungojë. /Newsport.al/