Tashmë janë zyrtarizuar edhe katër ekipet e kualifikuara në gjysmëfinalet e Champions League. Si rrallë në vitet e fundit, katër ekipet e kualifikuara vijnë të gjithë nga kampionate të ndryshme dhe nga katër kampionatet më të fortë të Europës. Nga Serie A në La Liga dhe nga Bundesliga në Premier League të gjithë kanë përfaqësuesit e tyre.
Spanja e përfaqësuar nga ‘mbretërit’ e këtij kompeticioni, Real Madrid me 12 tituj gjithsej mbetet sërish pretendenti kryesor për të marrë Champions League edhe këtë vit. ‘Los Blancos’ morën një kualifikim dramatik në minutën e fundit kundër Juventusit, por vetëm ata janë të aftë të bëjnë të tilla gjëra në Champions dhe prandaj mbesin unikë në këtë kompeticion.
Kishte vite që Anglia ‘çalonte’ në Champions League, por kush më mirë se Liverpool mund të rikthejë krenarinë e futbollit ishullor në Europë. ‘Banda’ e Kloop ka qenë perfekte këtë sezon në Champions League. Janë rekordmenët e futbollit anglez në Europë ku e kanë fituar Champions plot 5 herë, më shumë se askush tjetër në Premier League. Tani të gjithë duan një tjetër ‘mrekulli Stambolli’ dhe The Beatles e famshëm që më parë ishin legjendarët Lennon, McCartney, Starr dhe Harrison tashmë janë ‘zëvendësuar’ me Salah, Mane, Firmino dhe Chamberlain. Të gjithë presin edhe një koncert të ‘fundit’ në Liverpool.
Bayern Munchen vazhdon të jetë përfaqësuesi tipik i Gjermanisë. Të ftohtë, menaxhues dhe ‘vrasës’, bavarezët janë një kundërshtarë që të fut frikën. 5 herë fitues të Champions League, duan që të ripërsërisin tripletën e vitit 2013 ku në drejtim ishte pikërisht Heynckes. ‘Plakushi’ po drejton sërish ‘makinën e kuqe’ dhe askush nuk do që të përballet me Bayern në gjysmëfinale pasi të gjithë e dinë se futbollli është një lojë që luhet 90 minuta dhe në fund fitojnë gjermanët.
Roma është i vetmi ekipi nga të kualifikuarat që nuk e ka fituar kurrë Champions League. Verdhekuqtë kanë vetëm një finale të humbur në sezonin 1983-84 pikërisht përballë Liverpool ndaj të cilëve mund të kërkojnë ‘hakmarrje’. Entuziasmi dhe fakti se nuk kanë çfarë të humbin i bën të rrezikshëm italianët. Flamurin e Italisë e mbajnë ata krenarë në Europë dhe të gjithë e dinë se sa e vështirë është kundër një ekipi italian. Për më tepër informacione pyesin Barcelonën ose Realin ku mbrëmë për pak sa nuk pësoi një dramë nga Juventus brenda në ‘Santiago Bernabeu’.
4 ekipe nga 4 ligat më të forta që garantojnë për vetëm një gjë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, thjesht spektakël. /Newsport.al/