Ndeshja e Grupit B në Kategorinë e Dytë mes Përmetit vendas dhe Delvinës udhëtuese që ishte programuar për t’u zhvilluar ditën e djeshme nuk është luajtur.
Skuadra e Delvinës nuk ka pranuar të zbresë në fushën e gjelbër kur mësoi se në stadiumin e Përmetit mungonin dushet.
Por, në një sqarim përmes faqes zyrtare në Facebook, klubi i Përmetit pranon se në stadiumin e qytetit janë duke u bërë rikonstruksione në ambientet e brendshme dhe për momentin edhe sistemi i dusheve nuk është funksional.
Gjithsesi, drejtuesit e klubit përmetar pranojnë se i kishin ofruar skuadrës së Delvinës dy zgjidhje për këtë problem: krijimin e një ambienti provizor me dushe dhe dhoma zhveshjeje ose akomodimin në hotelin pranë stadiumit.
Të dyja këto opsione nuk janë pranuar nga Delvina që përfundimisht nuk ka preferuar të dalë në fushën e gjelbër dhe ndeshja nuk është zhvilluar.
Sipas klubit të Përmetit, kjo ka qenë një taktikë e skuadrës së Delvinës për të kërkuar tri pikët në tavolinë, por sipas tyre një gjë e tillë duhet të merret në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës dhe janë të bindur se ndeshja do të luhet medoemos në një ditë tjetër.