Orë “të nxehta” për Pizën e Edgar Çanit. Çështja e shitjes së klubit drejt grupit të shoqërisë që drejtohet nga Xhuzepe Korado ka nxitur tifozët e skuadrës që të bllokojnë autobusin e skuadrës para nisjes së transfertës kundër Çitadelës.
Sipas raportimeve që ka bërë gjatë ditës së sotme gazetari i njohur italian, Xhanluka di Marcio, forcat e rendit janë vendosur në gatishmëri të menjëhershme, ndërsa ngjarja ka ndodhur sot pranë restorantit në Pizë ku lojtarët e skuadrës së trajnerit Gatuzo sapo kishin përfunduar drekën.
Duke nisur nga ora 14:22 kur nisi bllokimi i rrugës, forcat e rendit kanë qendruar në gatishmëri për të shangur ndonjë incident të mundshëm.
Ndërkohë, sipas Di Marcios, skuadra e Pizës u nis për në Padova ku do të luajë nesër ndaj Çitadelës, pas 2 orësh e gjysmë, në 16:50, raporton newsport.al.
Një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas telefonatës që Xhuzepe Korado, presidenti i mundshëm që pritet të marrë drejtimin e klubit të Pizës, bëri me disa nga tifozët e skuadrës. Ai iu siguroi atyre se do të bëjë një tjetër ofertë në 48 orët e ardhshme.
E gjithë kjo rrëmujë erdhi pikërisht pas deklaratës së presidentit aktual i Pizës, Lorenco Pietroni se tratativat për shitjen e aksioneve të klubit kanë dështuar, ndërsa skuadra rrezikon heqje pikësh për shkak të borxheve dhe pagave të prapambetura ndaj lojtarëve.