Kemi lënë pas 25 javë kampionat në Kategorinë Superiore. Mirëpo, ajo që vërehet në këtë sezon është fakti se nuk ka një sulmues “rrace”, i cili të jetë shumë i rrezikshëm për kundërshtarët dhe të ketë shënuar shumë gola.
Deri më tani, sulmuesi që ka shënuar më shumë gola është Amadu Latif i Teutës me 9 gola, por që nuk shënon që prej fillimit të vitit 2019-të.
Gjithashtu edhe Reginaldo i Kukësit është po në kuotën e 9 golave.
Më tej edhe Partizani që kryeson kampionatin me 53 pikë, 9 më shumë se verilindorët, nuk ka një pykë që ta marrë skuadrën drejt fitores. Madje, lojtari që ka shënuar më shumë gola për të kuqtë në Superiore është Bruno Telushi, mesfushori që e ka dërguar topin në fundin e rrjetës 6 herë.
Mbetet për t’u parë deri në fund të sezonit se kush do e marrë “Këpucën e Artë” në Superiore. Kujtojmë që sezonin e kaluar e ka arritur ta fitojë ish-sulmuesi i Skënderbeut, Ali Sowe, i cili e mbylli me më shumë se 20 gola të shënuar.