Dy lajme të bujshme dolën dje nga klubi i Kukësit, ku u mësua se Sindrit Guri është shitur në Belgjikë, ndërsa presidenti Safet Gjici ka shkarkuar menaxherin e përgjithshëm të Kukësit, Naim Halilin. Pikërisht ky i fundit është një emër i dëgjuar dhe i lakuar shpesh në media kohët e fundit për shkak të punës cilësore të bërë në kampin verilindor. Presidenti Gjici tregoi arsyen se pse e kishte larguar menaxherin teksa u shpreh: “Ka bërë punë që s’i kanë takuar”.
Kjo deklaratë e kreut të verilindorëve lë shumë hapësira për aludime, por në të njëjtën kohë është presidenti kuksian që “bie brenda” me këmbët e tij. Naim Halili për vite me radhë ka qenë krahu i djathtë i Safet Gjicit. Falë punës së tij, sigurisht me financat e shëndosha të presidentit, ai ka bërë një punë të mrekullueshme duke e kualifikuar pothuajse në çdo sezon Kukësin në Kupat e Europës. Gjithashtu ka arritur të fitojë një Kupë Shqipërie, ndërsa vjet u shkruajt historia duke fituar titullin e parë kampion me ekipin verilindor.
Në një kohë që kuksianët po bënin mjaft mirë duke u shndërruar në kandidat potencial për titull kampion të edicionit të ardhshëm, kjo deklaratë e Gjici lë vend për interpretim. Çfarë ndodhi mes palëve? Si është e mundur që presidenti i Kukësit e kuptoi kaq vonë që menaxheri Halili paskërka bërë punë që s’i takonin? Për më tepër që ka qenë krahu i tij i djathtë në çdo lëvizje të lojtarëve apo edhe të stafit teknik. Diçka në klubin verilindor nuk shkon. .
Afrimi i drejtorit Nderim Nexhipi ka trazuar diçka në kampin kuksian. Të shesësh një lojtar si Sindrit Guri është sigurisht sukses, megjithatë “dehja” nga triumfe të tilla duhet të të ulin shpejt me këmbë në tokë. A bëri mirë që e largoi Halilin? Koha do ta tregojë. Por faktet janë të patjetërsueshme dhe me Naim Halilin në role drejtuese, Safet Gjici arriti të shpallte Kukësin e tij kampion për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar. /Newsport.al/