Një goditje në perspektivë për Juventus, që duket se ka arritur të sigurojë një nga të rinjtë më premtues të “La Masia”-s. Sipas të përditshmes katalanase “Sport”, bardhezinjtë kanë siguruar sulmuesin Pablo Moreno, i datëlindjes 2002.
Djaloshi mësohet të ketë lajmëruar Barcelonan se nuk do të rinovojë kontratën dhe se do të transferohet tek Juventus, që do t’i paguajë katalanasve shumën 3 milionë euro që përfshihet në klauzolën e tij.
Moreno, gjithmonë sipas “Sport”, do të transferohet te ekipi i dytë i Juventus me premtimin e një integrimit gradual në ekipin e parë. Në tre vitet e fundit, ai ka qenë ylli më i shndritshëm i të rinjve “blaugrana”, me të cilët ka shënuar më shumë se 200 gola, duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë i sezonit që sapo është mbyllur me 31 realizime.