Dje, Tirana luajti kundër Kastriotit, ndeshje finale për kampionin e Kategorisë së Parë. Kjo sfidë përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të bardhebluve, ndërsa para ndeshjes foli ish-kapiteni i Tiranës Elvis Sina. Ky i fundit deklaroi se 24-herë kampionët e Shqipërisë duhet të ndihen me fat që kanë një trajner si Ze Maria.
Ndërkaq në lajmin e publikuar nga newsport.al, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Sokol Bulkut. Ish-trajneri i moshave të bardhebluve u shpreh: “Për mendimin tim fat ishte kur Tirona në Superiore drejtohej nga Temeshvari, Lonçareviç, Slishkoviviç, Menekin, Rubio e duke vazhdua me Frashërin, Muçën, Kolën, Josën etj. Kështu që, përsëri sipas mendimit tim, Ze Maria është me fat që drejton Tironën kapiten Sina“, përfundon Bulku.
Kujtojmë që Sokol Bulku dhe Elvis Sina kanë luajtur së bashku te Tirana nga viti 1996 deri në vitin 2004. Të dy kanë qenë titullar të padiskutueshëm në ekipin bardheblu. Sina si mbrojtës i djathtë, ndërsa Bulku si mesfushor qendre.