Situata e vështirë që po kalon Flamurtari pas heqjes së 6 pikëve nga Komisioni i Disiplinës për shkak se nuk pagoi në kohë Arbërin, Sakajn dhe Veliun ka përfshirë tashmë edhe ish-deputetin e PS-së në Qarkun e Vlorës, Eltar Dedën.
Sipas tij, kjo që po i ndodh ekipit vlonjat është një turp i madh, ndërsa akuzon se Flamurtarin po e vjedhin dhe po e zhvatin. Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, Eltar Deda, tashmë në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë shprehet se e çudit menefregizmi i drejtuesve të klubit të Flamurtarit.
Por, ajo që bie në sy është edhe ndërhyrja e Migen Memellit, ish-sulmuesit të Tiranës, Flamurtarit dhe disa skuadrave të tjera të Superligës, i cili përmes një komenti në statusin e ish-deputetit Deda shprehet: Kur do të bësh ironikun me Federatën dhe nuk paguan kontratat, këto do presësh nga një i papërgjegjshëm që ka në krye ai klub. Flamurtari ka prekur fundin”.