Ashtu siç newsport.al ka njoftuar para disa ditëve, Ardit Hila është pranë marrëveshjes me Partizanin për t’u veshur i kuq për sezonin e ri. Ditën e djeshme elbasanasi ka qenë në kryeqytet për të nënshkruar kontratën, por burime pranë klubit të Partizanit bëjnë me dije për newsport.al që ende nuk është hedhur “e zeza mbi të bardhë”. Ndryshe nga sa thuhej në shtypin e shkruar, “ngërçi” qëndron te kontrata që i është ofruar atij për t’u firmosur. 25-vjeçari do të jetë pjesë e të kuqve për 1 sezon me opsion rinovimi edhe për 1 vit tjetër. Pikërisht në pjesën e rinovimit, mësohet se Hila ka kërkuar që termat financiarë të ndryshojnë.
Pra, e thënë troç nëse drejtuesit e klubit dhe lojtari dakortësohen që ai të qëndrojë në kryeqytet për edicionin e ardhshëm, atëherë paga e tij do të jetë më e lartë. Një tip kontrate, afërsisht si e ish-mbrojtësit, Blerim Kotobelli. Gjithashtu newsport.al ka mësuar se interes për futbollistin ka shfaqur edhe Flamurtarit. Me të marrë vesh lajmin se lojtari është pranë firmës me të kuqtë, drejtuesit vlonjatë kanë kontaktuar Hilën për ta pasur në skuadër për edicionin e ri. Deri më tani mesfushori është shumë pranë firmës me 15-herë kampionët e vendit, megjithatë këtë pritet ta mësojmë përfundimisht ditët e ardhshme. /Newsport.al/