Në një intervistë për Newsport.al flet ish kapiteni i ekipit tonë kombëtarë , Elvin Beqiri. Ish mbrojtësi i Kombëtares dhe i Vllaznisë në prononcimin e tij ndalet te ndeshjet e Shqipërisë përballë Spanjës dhe Italisë si dhe pritshmëritë e tij për këto dy takime.
-Beqiri si një ish lojtar dhe ish kapiten i Shqipërisë si i prisni këto ndeshje?
Janë ndeshje që normalisht përjetohen me emocion . Si një ish lojtar do doja të isha vetë pjesë e këtyre takimeve pasi janë ndeshje që çdo lojtar ëndërron që ti luajë në karrierën e vet.
-Si i prisni këto ndeshje nga ana e Kombëtares sonë ?
Jemi përballë dy ekipeve jo më të forta të grupit tonë por ndër më të fortat në botë. Në Spanjë e konsideroi një ndeshje shumë të vështirë ku edhe tradita me këtë ekip nuk na favorizon aspak. Me Italinë në Shkodër ndoshta do jetë pak më ndryshe pasi aty do kemi edhe një numër të lartë tifozësh që do jenë në mbështetje të ekipit. Tifozët do jenë një armë plus në ndeshjen kundër Italisë.
-Mund të realizojë surprizën Shqipëria në këto dy takime ?
E shoh shumë të vështirë përballë këtyre gjigandëve por në futboll nuk i dihet kurrë pasi është i paparashikueshëm. Në qoftë se ne arrijmë të marrim 2 pikë në këto ndeshje do ishte një sukses i jashtëzakonshëm.
-Ku e shikoni Kombëtaren në fund të këtyre eleminatoreve ?
Mendoj se Shqipëria do jetë e treta në renditje dhe kjo është diçka logjike besoj. Duhet që ta sigurojmë vendin e tretë pasi ende nuk është 100 % i sigurt prandaj duhet të luftohet fort për të paktën marrjen e një pike që do na jepte vendin e tretë.
-Si një trajner i Kombëtares Rajonale Shkodër ju nuk qëndroni kurrë larg kombëtares dhe jeni në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e FSHF. A mund ta shohim një ditë Beqirin si drejtues stoli te kombëtarja ?
Po,është e vërtetë. Unë së bashku me stafin tim përpiqemi të zgjedhim elementët më cilësorë nga Shkodra dhe rrethinat e saj. Elementë që në të ardhmen mund ti shërbejnë kombëtares së madhe. Sa për mua personalisht është ende herët të flasim për objektiva të tillë pasi jam në hapat e parë të karrierës si trajner.
-Së fundmi si iu duket ekipi juaj i zemrës Vllaznia në këtë fillim sezoni ?
Vllaznia e filloi mirë me Lushnjën por na “gënjeu”.Performancat e ekipit kanë ardhur në zbritje dhe ekipi nuk po ngroh më. Uroj që situata të zgjidhet sa më shpejt dhe ekipi të rikthehet në shinat e duhura. /Endri Çinari/