Dejvi Bregu është lojtari që u rikthye sërish te Luftëtari duke befasuar të gjithë sportdashësit. Mesfushori vlonjat është pjesë e organikës korçare, megjithatë me gjirokastritët ai do të luajë në Europa League. Pas këtij, lajmi fantazisti ka dhënë një prononcim për Supersport teksa është shprehur i lumtur se në Gjirokastër është në shtëpinë e tij.
“Kam bërë vetëm disa ditë pushime më shumë se ekipi. Është ndjesi e njëjtë, sepse jam në shtëpinë time. Europa është vitrina më e mirë për mua, që më pas të realizoj ëndrrën time dhe të luaj në një skuadër jashtë vendit.
Kur hyra në derën e stadiumit, më pritën me duartrokitje. I kishte marrë malli, si duket. Nëse nuk do të luaja në Europë, do të isha shitur diku, por kështu shfrytëzoj vitrinën dhe ndihmoj ekipin. Kombëtarja mbetet një ëndërr me mua, që do ta realizoj me punë.
Kundërshtari mund të duket i lehtë në letër, por ashtu mund të na shohin edhe ata ne. Duhet të përgatitemi maksimalisht që të arrijmë ndeshjen me Bordonë. Asgjë nuk është e paarritshme. Ky grup ka bërë gjëra të mrekullueshme dhe pse jo të bëjë gjëra të jashtëzakonshme në Europa league, siç është kalimi i turit.
Kemi më shumë përgjegjësi, sepse njerëzit na kanë parë të tre bashkë. Kemi qenë si një familje, si në fushë, ashtu edhe jashtë. Jam krenar që kam qenë pjesë e këtij grupi në dy vjet e gjysmë. Premtoj maksimumin, siç kam dhënë deri më tani, e ndoshta edhe më tepër, sepse pjesëmarrja në Europë është diçka speciale”, ka deklaruar mesfushori vlonjat.