Futbolli është sporti popullor më i ndjekur në botë dhe shumë të rinj kanë dëshirë të bëhen “superyje” duke ndjekur nga pas një top. Historia e futbollit na ka mësuar se ikonat më të mëdha të këtij sporti kanë arritur të bëhen të tillë vetëm me punë dhe pasion.
Kështu është edhe rasti i një djaloshi 18 vjeçar nga Berati, i cili me dëshirën dhe vullnetin e tij, me këmbënguljen e përkushtimin në stërvitje ka bërë që jo vetëm në skuadrën aktuale të jetë një ndër lojtarët kryesor, por tashmë është nën “radarët” e një klubi me shumë histori, një klubi që ka fituar Champions League.
Bëhet fjalë për mesfushorin Ervis Hoxha, i cili aktivizohet në Kategorinë e Dytë në kampionatin grek me skuadrën e Apollon Larissa, por talenti i tij ka mbërritur deri në Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Në një intervistë ekskluzive për Newsport.al lojtari rrëfien historinë e tij, që ka nisur shumë herët, ndërsa ai ëndërron që të jetë shumë e gjatë.
– Ervis ju jeni vetëm 18 vjeç, por na tregoni pak si ka lindur dëshira juaj për t’u bërë futbollist?
Dëshira ime ishte që i vogël të bëhesha profesionist, pasi futbolli më pëlqente shumë, e kam patur pasion të madh, ëndërroja që një ditë të kisha mundësinë të luajë në fushë.
– Cila është dëshira juaj më e madhe në këtë moshë që jeni?
Dëshira ime me e madhe është të luaj në kampionatet më të mëdha të Europës edhe besoj se një ditë ëndrrën time do ta realizojë. Me shumë pasion dhe përkushtim arrihet gjithçka, kështu që unë do të ndjek çdo gjë hap pas hapi, pasi vetëm me punë gjithçka bëhet realitet, ashtu sikurse ka ndodhur me shumë futbollistë.
– Sa e rëndësishme është skuadra e Apollon Larissa për ju?
Skuadra e Apollon Larissas është shumë e rëndësishme për mua. Besoj se do më ndihmoj që të realizojë ëndrrën time.
– Si i keni marrëdhëniet me pjesën tjetër të skuadrës?
Marrëdhëniet me pjesën tjetër të skuadrës i kam shumë të mira, sepse ne këtu punojmë të tërë si profesionista.
– Sa shumë dëshiron që një ditë të veshësh fanelën e Kombëtares?
Po të veshë fanellën e Kombëtares është ëndrra e çdo fëmije që do të luaj futboll. Njëjtë edhe për mua kjo gjë është shumë e rëndësishme. Të vishem kuqezi është një nga ëndrrat me të mëdhaja që dua të realizojë edhe shumë shpejt besoj që do bëhet realitet.
– Së shpejti ju do të udhëtoni drejt Portugalisë për t’u bashkuar disa ditë me skuadrën e Benficas. Na tregoni pak për këtë çështje?
Po. Unë do iki në Portugali te Benfica edhe besoj që do jetë një eksperiencë shumë e madhe, sepse atje do trajnohem nga trajnerët e Benficas edhe do të luajë me U19 të Benficës. Do të mësoj shumë gjëra nga atje, pasi U19 e Portugalisë në verë fitoi Europianin edhe besoj se do kem mundësinë të stërvitem me disa lojtar të tillë.
– Ndiheni gati për këtë ekspericncë që iu pret?
Ndihem shumë mirë. Nuk po më pritet që të iki në Portugali edhe të tregoj vlerat e mia, pasi kam shumë besim te vetja ime, pasi kjo është diçka shumë e rëndësishme për çdo lojtar, duke e ndihmuar shumë për të ecur përpara.
– Kush është skuadra që dëshiron të luash në karrierën tënde?
Skuadra e zemrës është Olimpiakosi në Greqi. Në të ardhmen time kam shumë dëshirë që një ditë të vesh atë fanellë.
– Ju luani si një mesfushor dhe emrat e futbollistëve të mëdhenj numërohen me gishta në këtë repart. Cili është lojtari që ju e keni si shembull?
Me pëlqejnë shumë lojtarë që luajnë në mesfushë, por i preferuari im është Nainggolan që tani luan me Interin. Pas tij vjen Iniesta edhe Busquets. Këta lojtar i shikoj çdo ditë në “Youtube” dhe mundohem që të mësoj më të mirën prej tyre, duke u munduar që këtë ta shpreh edhe në fushën e lojës, kur jam duke luajtur.
– Ervis doja t’ju pyesja pak për kampionatin shqiptar. Cila mendoni se është skuadra më e mirë e momentit dhe kush mund ta fitojë kampionatin këtë sezon?
Po e ndjek kampionatin shqiptar, megjithëse nuk jam një fans shumë i madh i tij. Duhet thënë se këto vitet e fundit Skënderbeu ka arritur të bëjë më mirë se ekipet e tjera, këtë e tregojnë edhe trofetë e fituara. Përsa i përket këtij sezoni të ri, është shumë e vështirë për të thënë se kush mund të triumfojë në fund, pasi konkurenca është shumë e forta, të paktën nga këto 4 javë që janë luajtur deri tani.
/Nazif ZYLALI/