Matko Djarmati është një nga dy trajnerët e licencuar pak ditë më parë në kursin UEFA A. Kroati ka 7 vite që jeton në Shqipëri, madje ka edhe pasaportë shqiptare. Ai ka nisur të flasë dhe të kuptojë shumë mirë gjuhën, gjithashtu është integruar edhe në shoqëri. Djarmati nuk është vetëm një lojtar i huaj që ka fituar simpatinë e tifozerive të skuadrave ku ka luajtur.
I kontaktuar nga “Newsport.al”, kroati flet për të ardhmen e tij si trajner, por nuk mohon se do të luajë dhe një vit futboll nëse nuk gjen një skuadër sipas ambicieve dhe kërkesave të tij. Djarmati, i cili ka luajtur për Skënderbeun, Besën, Dinamon, Kastriotin, Tërbunin e së fundmi Kastriotin, shprehet se ka marrë eksperiencë të mirë nga trajnerët shqiptarë.
Pse zgjodhe Shqipërinë dhe jo Kroacinë?
Mund të të përmend tre arsye; kam familjen, flas dhe kuptoj shqip shumë mirë, kushtet janë shumë profesionale si në mbarë Europën. Në Shqipëri jam në shtëpi, ndaj zgjodha të bëj kursin këtu.
Ke kontakte me ekipet këtu për të marrë një vend si trajner?
Kam përfunduar licencën UEFA A katër ditë më parë, që më jep të drejtë që të trajnoj në Kategorinë e Parë dhe të jem zëvendës në Superiore. Do të bëj pushimet dhe më pas do të vendos nëse do të marr ekip apo do të luaj.
Tregu shqiptar, i vështirë?
Kam ambicie shumë të mëdha dhe personalisht nuk më intereson të marr një skuadër vetëm për të qenë në punë. Mua më interesojnë projektet e mëdha dhe akademitë serioze. Nëse do të marr ekip, më intereson në Kategorisë e Parë një skuadër që konkurron për në Superiore. E di që është e vështirë që dikush të më japë shansin si trajner pa eksperiencë, por nuk dua të marr një skuadër vetëm për punë.
Te Kastrioti keni qenë zëvendës trajner…
Kam punuar me Elvis Plorin, i cili është shumë i talentuar. Kemi punuar bashkë dhe unë do të rri me Plorin nëse gjejmë projekt serioz.
E vështirë të punosh me lojtarët dhe presidentët shqiptarë?
Në të gjithë Ballkanin është i njëjtë problemi. Unë si trajner dua të kem kontroll absolut në skuadër. E di që është e vështirë ta bësh këtë, por kur do të ulem në tavolinë me një president ose drejtor do të vendos kushtet e mia. E di që në 7 vite kam mësuar për kushtet e trajnerëve këtu, të cilët kanë punë shumë të vështirë. Në Shqipëri nëse skuadra ka rezultate të këqija, trajneri ikën i pari. Ndaj dua që të punoj me standardet që kërkoj unë.
Je trajnuar nga trajnerë shqiptarë dhe të huaj, nga kush ke marrë më shumë eksperiencë?
Eksperiencë kam marrë nga Gerd Haxhiu, Elvis Plori dhe Artan Mërgjyshi. Me këta kam pasur marrëdhënie më të mira në Shqipëri.