Është vetëm 18 vjeç, por tashmë ka mundur të veshë fanellën e skuadrës së zemrës në fushën e lojës. Ai quhet Klein Strazimiri, i cili prej 11 vitesh i ndiqte bardheblutë cep e më cep Shqipërisë, pasi është anëtar i grupimit “Tirona Fanatics”. Dashuria e tij për skuadrën e Tiranës është e papërshkrueshme dhe këtë e thotë ai vetë në një intervistë për newsport.al.
– Klei përshëndetje! Jeni i kënaqur për transferimin te Tirana?
Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën. Sigurisht që jam i kënaqur si më afruan te Tirona, i kënaqur si më pritën. Është një ëndërr e realizuar.
– Tirana po Tirona?
(Qesh) Për një fanatiks kjo pyetje s’duhet bërë. TIRONA e kam thënë që kur kam lindur dhe do vazhdoj ta them.
– Cilat janë objektivat për të ardhmen?
Objektivat për të ardhmen është që të dal kampion dhe pas këtij viti te skuadra e zemrës, kam dëshirë të luaj jashtë vendit.
– Do të jetë e vështirë për ndonjë vend titullari?
Këtë nuk mund ta them. Unë do të bëj më të mirën time, si në stërvitje ashtu edhe në fushën e lojës. Vetëm ajo do të mund ta tregojë nëse do të jem ose jo titullar.
– Si është të jesh fanatiks dhe basketbollist jo me Tiranën?
Vështirësia ishte e madhe. Megjithatë në momentin që futesh në lojë, rrëmbehesh nga pasioni për sportin. Tani është bërë bujë e madhe që po kthehem.
– Cilat kanë qenë urimet që ke marrë nga fanatiksat këto ditë?
Dua të veçoj njërin dhe më të bukurin: “Mirësevjen në shtëpinë e kampionëve”.
– Sa vite ke që je pjesë e fanatiksave?
Pjesë e fanatiksave jam që në vitin 2006, pra 11 vite.
– Kë do më shumë, Tiranën e futbollit apo Tiranën e basketbollit?
(Qesh) Nëse do më pyesje para disa kohësh, sigurisht do të thoja të futbollit. Por, tashmë nuk mund t’i ndaj. Unë jam një sportist dhe e dashuroj atë, ashtu siç dashuroj Tironën. Ndaj nuk mund t’i ndaj. / Newsport.al/ Retin TOKA