Është 23 vjeç, por historia e tij është shumë e veçantë. I apasionuar pas futbollit, por mundësitë në Shqipëri e privuan që të ndiqte pasionin e tij. I kontaktuar nga newsport.al, Mondi Kosta ka rrëfyer se si nga portier u detyrua të zgjidhte të ishte instruktor në një palestër në Tiranë. Kjo jo për shkak të tij, por nga mundësitë që të ofron vendi ynë. Ka dalë nga akademia e Partizanit dhe ishte një ndër portierët më me prespektivë, ndërsa sot kjo ka mbetur thjesht në kuadrin e fjalëve.
– Keni disa vite që merreni me sport. Dikur portier, ndërsa sot instruktor. Ç’mund të na thoni për këtë?
Të merresh me sport është gjëja më e mrekullueshme që mund të bëjë një njeri dhe kur luaja futboll ndihesha shumë mirë. Ndërsa tani që merrem me fitness ndihem mirë, por emocionet që të jep fusha e blertë e lojës janë të papërshkrueshme.
– Ju mungon futbolli? Sa kohë ke që e ke lënë?
Sigurisht. Çdo njeriu i mungon diçka që e do me patjetër, kështu edhe mua. Kam afërsisht dy vitë që nuk luaj më si profesionist.
– Ishit si një ndër portierët e prespektivës, ç’ndodhi me ju?
Tashmë të gjithë e dinë se si funksionojnë gjërat në Shqipëri. Mundësitë e mia nuk ishin që unë të paguaja për të luajtur, kështu që vendosa të tërhiqem, megjithëse me dhimbje të madhe duke i privuar vetës ëndrrën time më të madhe, të bëhem një portier i madh.
– Nga cila akademi keni dalë?
Jam prodhim i akademisë së Partizanit, ose më saktë isha.
– Me kë trajner jeni stërvitur?
Jam stërvitur me profesor Suvarov Seferi, i cili më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë.
– Më mirë portier apo instruktor?
Të dyja janë mirë sepse i përkasin sportit, por unë do të preferoja të zgjidhja portierin.
– Cilat janë synimet për të ardhmen?
Kam dëshirë të merrem me sport, pasi kam mbaruar Universitetin e Sporteve. Në të ardhmen kam dëshirë të merrem me trajnimin e disa ekipeve.
– Idhujt në portë që keni në Shqipëri dhe jashtë saj? Po në palestër?
Portierët që adhuroj janë në kampionatin italian dhe spanjoll, Buffon dhe Casillas. Në Shqipëri nuk kam ndonjë idhull. Përsa i përket palestrës nuk preferoj asnjë.