Sa herë që përmendet emri i tij, ekipi i Partizanit përbën lajm. Ndofta për mirë, por shpesh edhe për “ngërçin” që ka kapur të kuqtë në këtë periudhë merkato të verës. Më shumë largime se sa afrime. Më shumë përplasje se sa harmoni.
Megjithatë të gjitha këto mundohet t’i sqarojë trajneri Skënder Gega. Ky i fundit, në një intervistë të gjatë për Supersport ka prekur një sërë temash, nga eliminimi kundër Mariborit e deri te titulli kampion, që i mungon të kuqve prej plot 25-vitesh.
MARIBORI – “Edhe Maribori kishte momentet e tij të dobëta. Por kështu është futbolli. Unë isha i bindur që mund të arrinim në 90 minuta të kthenim ndeshjen. Nuk ndodhi e tashmë po punojmë për kampionatin”.
MERKATO – “Ka nevojë për përforcime. Unë do të kisha dëshirë të kisha lojtarët më të mirë të Superligës. Klubi po punon. Ka një listë, ka hyrë në bisedimet. Jam munduar të sqaroj gjithçka ka dalë. Të marrësh një sulmues kryesor, që mund ta quajmë për një mesazh. Nuk mund të bashkëpunojmë me dikë që nuk ka autorizimin e klubit”.
ÇANI – “Ka qenë zgjedhja ime që Çani të rrijë jashtë, vetëm duke argumentuar gjendjen e tij. Ai është shumë prapa fizikisht. Ka një kontratë me klubin dhe e di klubi si do ta zgjidhë. Shpresoj që të jetë 100 përqind i shëndetshëm. Çfarë ka qenë Çani, i përket të kaluarës”.
BELICA-ABDURRAHIMI “Nuk ka asnjë plan për Belicën për ta larguar, është pjesë e planeve të mia. Abdurrahimi është dëmtuar në Maqedoni, në menisk. Ai do një pushim dhe unë e kam drejtuar te klubi. Mezi s’mbahet asnjë. Për sa i përket Bardhit, nuk jam shumë i kënaqur. Dua të që të rrisë nivelin e tij”.
PRESIDENTI DEMI – “Deri tani me presidentin Demi kam një marrëdhënie komplet korrekte. Për çdo gjë që kam pasur, unë e kam lajmëruar. Nuk është e udhës që një trajner futbolli të rrijë me presidentin. Deri më tani jam shumë i kënaqur dhe e di çfarë bëj. Sa i suksesshëm do jem, këtë s’mund ta them. Megjithatë dua që gjithmonë t’i shoh tjerët në sy”.
TITULLI – “Mendoj se kampionati nuk është i lehtë. Kampionati duhet menaxhuar gjithë ndeshjet. Unë i shoh të gjithë rivalë. Shpresoj që gjërat të shkojnë më mirë dhe të mësojmë nga gabimet. Ai është profesionalizmi. Unë jam i përgatitur dhe dua që çdo gjë ta zgjidhim si grup bashkë”.