Teuta paralajmëroi përpara nisjes së këtij sezoni se synonte kualifikimin në Europa League. Pas 13 javësh kampionat, durrsakët e kanë mbajtur fjalën, por sezoni është ende i gjatë dhe për këtë tekniku i “Djemve të detit” Bledi Shkëmbi është i ndërgjegjshëm. Nga java në javë, Teuta po forcohet vazhdimisht duke bërë që ҫdo kundërshtar ta marrë në konsideratë ekipin e këtij sezoni.
Hidi, Progni, Osmani, Bicaj janë lojtarët që e forcuan bërthamën e ekipit bregdetar duke marrë profilin e një skuadre elitare. Por, në listën e emrave të Teutës, nuk mund të shpërfillësh sulmuesin nga Gana Latif Amadu.
Sot ai kryeson listën e golashënuesve në Superligë, duke lënë pas lojtarë me peshë dhe me reputacion të mirë si Bregu, Reginaldo,Muzaka, Alves, Plaku etj. Në një intervistë për Newsport.al, Amadu nuk i kursen superlativat për Superligën dhe futbollin shqiptar.
Një lojtar shumë njerëzor, i lidhur fort pas ekipit dhe qytetit të Durrësit, të cilin ai e do shumë, Amadu flet thjesht dhe drejtpërdrejt. Të qenit optimist e ndihmon dhe besimi i devotshëm ndaj Zotit. Më poshtë, japim intervistën e sulmuesit të Teutës, Latif Amadu.
– Në ndeshjen e fundit me Kukësin, u largove nga fusha me dhimbje. Ҫfarë zbuluan doktorët nga ekzaminimet mjekësore? Ke pësuar dëmtim të rëndë?
Ndrydha kyҫin e këmbës, por doktorët më thanë se nuk ishte frakturë dhe kam nevojë për 10 ditë për t’u rikuperuar plotësisht për të qenë gati për të luajtur.
– E nise ngadalë sezonit, po tani je kryegolashënuesi i Superligës. Te Teuta kanë shënuar vetëm 4 lojtarë në 13 ndeshje. Nuk mendon se këtë përgjegjësi duhet ta ndajë e gjithë skuadra, të shënojë secili, apo je në gjendje ta kryesh i vetëm këtë detyrë?
Golat që shënova vetëm emrin tim mbajnë në tabelën e rezultatit të ndeshjeve, por është puna e të gjithë ekipit, përfshi dhe trajnerin, sepse unë nuk e marr topin nga njëra anë e fushës në tjetrën, kështu që përgjegjësia është e të gjithëve, jo vetëm e imja. Ҫdo lojtar, nga i pari deri te i 26-i është i rëndësishëm, kështu që e ndajmë përgjegjësinë.
– Te Teuta je bërë një person i njohur tashmë. Cila është arsyeja më e rëndësishme që gjen te skuadra jote që të ka bërë një sulmues kaq rezultativ, sidomos në 6 ndeshjet e fundit?
Është e thjeshtë: fryma e bashkësisë, dashuria për njëri tjetrin, zelli për të luajtur, përkushtimi, disiplina dhe cilësia e stafit teknik. Edhe vetbesimi dhe mbështetje të jashtëzakonshme nga presidenca në formën e motivimit.
– Në sezonet e fundit në Shqipëri shumë lojtarë afrikanë janë kthyer në lojtarë kyҫ të shumë ekipeve: Sowe, James, Olayinka. Orelesi, Reginaldo, etj. Dëshiron të bëhesh një yll tjetër në futbollin shqiptar?
Jam i vendosur të ndihmoj Teutën të arrijë synimet dhe të bëj të lumtur fansat e mi dhe njerëzit në Durrës. Jam një yll i Teutës, më mjafton kaq.
– Nga sulmuesit dhe skuadrat, kë do të zgjidhje si kundërshtarët e tu?
Të flas sinqerisht, i respektoj të gjithë sulmuesit e Superligës dhe nuk kam ndonjë rival sepse qëllimi im është të ndihmoj ekipin të përmbushë objektivat dhe të bëj të gëzuar familjen e Teutës. I vetmi rival që kam është dëmtimi dhe i lutem Zotit të më mbrojë sepse është e vetmja gjë që më pengon të bëj atë di të bëj më mirë. I dua të gjithë te Teuta dhe familjen time në Gana dhe u uroj të gjithëve me fanelën e Teutës ҫfarë I uroj vetes sime dhe nuk kam asnjë kundërshtar në ekip.
– Ҫfarë përshtypje ke për futbollin shqiptar dhe kampionatin tonë?
Është perfekt dhe kampionat shumë i vështirë. Për mua kampionati shqiptar është i njëjtë me Serinë A italiane, kështu që ҫdo lojtar që ecën mirë në këtë kampionat (Superliga) mund të luajë në ҫdo ligë të botës. Është një kampionat fantastik.
– A ke arritur të mësosh pak gjuhën shqipe?
Po e mësoj pak nga pak.
– Ku do të dëshiroje ta përfundoje karrierën?
Jam shumë i ri për të thënë se ku dua ta mbyll karrierën.
– A e dëshiron një trofe me Teutën këtë sezon?
Sigurisht që e dua një titull. /Newsport.al/ Dario Velaj/