Është lindur në Tiranë dhe ka nisur të luajë futboll me ekipet amatore. Në moshë të vogël është bërë pjesë e ekipit të Laprakës. Esmerald Aluku, mesfushori 18-vjeçar që po shkëlqen në Sllovaki me skuadrën e FC DAC Dunajska Streda ka dhënë një intervistë ekskluzive për newsport.al.
Historia e tij është mjaft e veçantë dhe emocionuese. U largua nga Shqipëria i vetëm dhe përfundoi në Greqi në moshë të vogël. Asokohe u fut në Akademinë e Arsenalit në Greqi. Talenti i tij ra në sy të klubit anglez që dëshiroi ta transferonte në Londër, por burokracitë me dokumentat e lanë atë në shtetin helen.
Për t’u ngritur profesionalisht falë ndihmës të disa trajnerëve anglezë, Aluku tashmë luan në kampionatin sllovak, në ligën elitare. Është vetëm 18-vjeç, por stërvitet me skuadrën e madhe dhe disa herë ka gjetur edhe vend në formacion.
Ka pasur ftesë edhe nga trajneri Alban Bushi, por nuk ka pasur mundesi. Tashmë gjithçka duket se ka ndryshuar pozitivisht për të dhe në një ftesë të radhës, ai mund t’i thotë “PO”.
Në fund Esmeraldi zgjedh skuadrën e tij të zemrës. Si një djalë i lindur në Tiranë, ai tregon se është tifoz i ekipit më të titulluar në Shqipëri, “Tironës”.
– Përshëndetje Esmerald! Një çun “Tirone” apo Tirane?
(Qesh) Si të duash. Ne që kemi lindur në kryeqytet, jemi “çuna Tirone”.
– Tashmë ti luan në Sllovaki me skuadrën e Dunajska Streda?
Po, e vërtetë luaj në Sllovaki.
– Si po shkon aventura juaj atje?
Të them të drejtën, ndihem mirë. Për sa i përket formës sime, kam pasur disa dëmtime që nuk më kanë lejuar të jap maskimumin, por tani jam mirë.
– Sa kohë keni në Sllovaki?
Kam pak më shumë se 1 vit. Kam ardhur tetorin e kaluar.
– Pse ku keni qenë më parë?
Kam ndenjur 5 vite rresht në Greqi, ku kam qenë pjesë e Akademisë së Arsenalit.
– Po, fillesat e tua ku janë? Tirana, Partizani apo Dinamo…
Jam lindur në Tironë dhe fillimisht e kam nisur me skuadrat amatore. Kam qenë pjesë e ekipit të Laprakës.
– Po nga Greqia pse u larguat? Çfarë është kjo akademia e Arsenalit? Ka lidhje me klubin anglez?
Po është binjakëzim i atij të Londrës. Më çuan 2 herë atje dhe më pëlqyen si lojtar kur isha 16 vjeç.
– Por, më pas çfarë ndodhi?
Pata probleme me letrat. Nuk munda të transferohesha atje.
– Klubi anglez nuk t’i mundësoi letrat?
Jo, s’mi mundësonte pasi unë isha minoren. Në Greqi jetoja pa prindërit dhe në këtë mënyrë qe e vështirë.
– Po në Sllovaki si arrite të transferoheshe?
Ai trajneri anglez që kisha në Greqi arriti të më sillte këtu në skuadren e Dunajska Streda. Fillimisht e nisa me 19-vjeçarët, ndërsa më pas kalova te skuadra e parë me të cilën stërvitem.
– Ç’synime ke për të ardhmen?
Dua të arrij nivele më të larta.
– Ç’kuptoni me “nivele më të larta”?
Të transferohem në liga elitare në Europë, si psh. Arsenal, Real Madrid.
– Këto janë ëndrra sepse të arrish të tilla skuadra fillimisht duhet të kesh një menaxher të mirë dhe sigurisht talenti të jetë rritur me ty. Beson se ti e ke?
Po flas me modesti, le t’ia leme fushës. Tashmë unë kam një menaxher dhe besoj se do të arrijmë lart.
– Esmerald, i ke ndjekur kombëtaret shqiptare?
Po, i kam ndjekur.
– Ti ke qenë ndonjëherë pjesë e saj?
Po, kur isha 12 vjeç.
– Po më pas?!
Jo, s’kam qenë më.
– A e meriton një ftesë nga Kombëtarja U-19?
Po besoj se po. Madje dhe nga U-21.
– Nuk mendon se po shkon pak larg?
Jo, sepse i njoh potencialet e mia.
– Meqë përmendëm Kombëtaren, nuk keni pasur këtë vit nga kuqezinjtë për provë?
Po më ftuan. Alban Bushi tregoi interes për mua, mirëpo unë e pata të pamundur të vija pasi duhet të isha me ekipin tim.
– Grumbullimi në Kombëtare është privilegj që jo çdo kush mund ta ketë…
Po, por kisha edhe ndeshje me skuadrën time ishte me rëndësi dhe doja të isha aty.
– A nuk mendon se është momenti i duhur që ti t’ia mundësosh vetes një grumbullim me Kombëtaren?
Dëshira ime është të jap maksimumin për fanelën kuqezi. E kam ëndërr dhe shpresoj shumë që një ditë të jem në fushë.
– Si një futbollist i lindur në Shqipëri, e keni ndjekur kampionatin tonë?
Jo, në fakt nuk kam pasur mundësi ta ndjek.
– E fundit, si çun “Tirone” për kë bën tifo? Tiranën, Partizanin apo ndonjë tjetër?
Jam lind në Tironë dhe bëj tifo për skuadrën e kryeqytetit.
– Po edhe Partizani me Dinamon janë ekipe të kryeqytetit?
Atëherë unë jam tifoz me skuadrën më titulluar në Shqipëri, Tironën time! /Retin TOKA/