Ishte pjesë e Tiranës sezonin e shkuar, ndërsa këtë vit ka zgjedhur të nisë një aventurë të re në Prizren të Kosovës. David Domgjoni, qendërmbrojtësi shtatlartë ka dhënë një intervistë ekskluzive për newsport.al ku ka zbuluar aventurën e re me Lirinë e Prizrenit.
20-vjeçari analizon në mënyrën e tij Superligën e Kosovës, por gjithashtu nuk lë pa përmendur edhe dy trajnerët, Bledi Shkëmbin, por edhe Mirel Josën e Prishtinës. Dashurinë për Tiranën nuk e fsheh në asnjë moment, madje deklaron me bindje të plotë se bardheblutë sigurojnë ngjitjen në Superiore që në gjysmën e dytë të sezonit.
– David, si po të shkon aventura në Kosovë?
Shumë mirë, jam shumë i kënaqur. Është një kampionat që po rritet dita-ditës.
– Pse zgjodhe Lirinë, ndërsa në Shqipëri ishe pjesë e skuadrës më të titulluar?
Kur ika nga Tirana, kisha destinacion Zvicrën. Por, planet ndryshuan në momentin e fundit dhe vendosa të luaja për Lirinë.
– Jeni transferuar në një skuadër ku ka shumë lojtarë nga Superiorja, por edhe një trajner si Bledi Shkëmbi. Na tregoni pak nga javët e para…
Me trajneri Bledi Shkëmbi jam shumë i lumtur. Jo vetëm unë, por të gjithë skuadra ndihemi ashtu. Është një lider si në fushë, ashtu edhe jashtë fushe. Është një ish-lojtar që ka fituar 6 tituj kampion. Ka gjithmonë ego. Ka mentalitet fituesi.
– Si e sheh këtë sezon?
Do të jetë një sezon i gjatë. Them i gjatë, pasi gara është shumë e fortë. Besoj se do të renditemi në vendet e para. Jemi një ekip që po rritemi çdo ditë. Çdo javë që kalon, po përmirësohemi.
– Iu tremb ndonjë nga rivalët?
Ç’është e vërteta nuk më tremb asnjë skuadër. Të gjithë ekipet këtu në Kosovë, jemi aty aty. Nuk kemi diferenca të mëdha.
– Por, Llapi ndodhet në vendin e parë me 17 pikë…
Është një skuadër vërtet e mirë. Jo më kot ndodhet në vendin e parë, megjithatë ne jemi Liria. Jemi një ekip që kemi në krye një trajner me mentalitet fituesit. Nuk na tremb as Llapi, as ndonjë skuadër tjetër. Jemi një grup që po konsolidohemi dhe jam i bindur që ky ekip në fund të sezonit do të buzëqeshë.
– Fati bëri që këtë sezon të përballesh me ish-trajnerin tënd, Mirel Josën. Si do ndihesh kur përballë të kesh skuadrën e tij?
Profesor Mirel Josa është një nga trajnerët më të njohur në Shqipëri. Është një trajner që ka fituar disa tituj kampionë dhe besoj se te Prishtina do të bëjë mjaft mirë. Për të kam një respekt mjaft të madh, pasi për aq kohë sa isha me të në skuadër, më dha mundësi të luaja. Fati nuk ishte me mua, pasi u dëmtova megjithatë e falënderoj publikisht për gjithçka ka bërë për mua. Ndërsa për sa i përket përballjes në Superligën e Kosovës, i them që e respektoj, por në fushë do ta mund.
– Ç’mendon se do të bëjë Josa në Superligën e Kosovës?
Nuk mund të them asgjë më shumë se kaq. I uroj suksese dhe një trajner që ka fituar 6 herë rresht titullin kampion me skuadrën e Skënderbeut, është një vlerë e shtuar për nivelin e kampionatit të Kosovës. Sigurisht, së bashku me trajneri Bledi Shkëmbi.
– Më lart përmendët Tiranën. Ç’mund të thuash për këtë skuadër?
Tirona është ekipi që unë jam rritur në aspektin sportiv, por edhe atë njerëzor. Kam qenë pjesë e Tironës që në moshën 16-vjeç deri në atë 20-vjeçare. Bardheblutë janë skuadra që unë bëj tifozllëk në Shqipëri. Është një humbje e madhe që Tirona nuk ndodhet mes më të mirave. Ai ekip nuk e ka vendin në të Parën.
– E ke ndjekur këtë sezon?
Sigurisht që e kam ndjekur. Më ka pëlqyer shumë dhe pikët maksimale që ka, nuk i ka pa meritë. Është një grup kompakt dhe jam i bindur që ngjitjen në Superligë do ta sigurojë që në muajin dhjetor.
– Meqë je një ndjekës i rregullt i Tiranës, kë nga lojtarët e këtij edicioni veçon?
I pari është kapiteni, Erando Karabeci. Luan me shpirt dhe tregon që e do atë fanelë. Cilësitë e tij në fushë janë të padiskutueshme, por edhe për shokët e skuadrës është një “marsh” më shumë. Gjithashtu më ka befasuar sulmuesi afrikan, Yunus Sentamu. Drejtuesit kanë bërë një goditje të mirë me afrimin e tij në skuadër.
– Mirë David iu falënderoj…
Iu falënderoj edhe unë ju. Për nëse më lejoni dua të them edhe diçka të fundit.
-Sigurisht! Çfarë?
Ne lojtarët ikim dhe vijmë, ata mbeten aty përgjithmonë. Ndaj u bëj thirrje që të jenë sa më të shumtë në stadium, pasi Tirona tani ka më shumë se kurrë nevojë për ata. Janë lojtari i 12-të dhe padiskutim janë tifozët më të organizuar. Dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. / Retin TOKA/