Luftëtari nuk e nisi apsak mirë këtë sezon, ku në 4 ndeshjet e para ka arritur që të pësojë 4 humbje. Kjo ka sjellë që ish-tekniku Milos Kostiç të largohet dhe në vend të tij skuadrën ta marr Gentian Mezani, që duhet thënë se i ka ndërruar ‘fytyrën’ skuadrës.
Mirëpo kush ka qenë çelësi i suksesit për të dalë nga kjo krizë? Detaje na tregon mesfushori i talentuar beratas, Erald Hyseni, i cili në një intervistë për Newsport.al tregon se pika më e fortë e këtij ekipi është grupi, e ndërsa objektivi i Luftëtarit shkon shumë larg.
Si një djalosh me talent dhe me shumë punë, 18 vjeçari nuk e shpreh dëshirën për të luajtur në një tjetër kampionat jashtë vendit. Ndër të tjera, megjithëse kemi lënë pas 13 javë në Superligë, kush është sipas Hysenit skuadra që mund të triumfojë në fund të kampionatit?
Erald, ju këtë sezon keni kaluar në një skuadër të re. Si e përshkruani ambientin e Luftëtarit?
Këtu është një ambient i mirë. Skuadra ka djem të shkëlqyer dhe qyteti është i qetë.
Në fillim nuk keni mundur të merrni pikë në javët e para, por me ardhjen e trajnerit Mezani keni bërë shumë mirë, duke iu larguar edhe zonës së ftohtë. Si e përshkruani ju këtë ndryshim?
Mendoj se ishte problem psikologjik. Pas humbjes së parë në shtëpi, kërkonim t’i rekuperonim sa më shpejtë pikët, megjithatë ia vështirësuam vetes më shumë. Me ardhjen e trajnerit Gentian Mezani ndodhi krejt e kundërta, pasi jemi rritur nga ana psikologjike dhe kemi punuar me ngarkesa për të patur sa më shumë minuta në këmbë. Rigjetëm forcën të riktheheshim përsëri tek fitoret, por Luftëtari nuk është për këtë pozitë ku ndodhet momentalisht.
Sa të mira i kishit marrëdhëniet me të larguarin Kostiç? Po me Mezanin?
Me të dy trajnerët kam qenë i njejtë në lojën time. Unë jap maksimumin në seancat stërvitore. Marrëdhënien e kam patur shumë të mirë, si me ish-teknikun Kostiç, por gjithashtu edhe me profesor Mezanin.
Sa i kënaqur jeni me performancën tuaj deri më tani?
Jam i kënaqur, por nuk mund të them shumë. Unë e di se kam akoma më shumë për të shprehur. Në çdo ndeshje që kam luajtur kamë dhënë maksimumin tim dhe do ta jap edhe në vazhdim.
Mendon se mesfusha e Luftëtarit ka më shumë nevojë për minuta nga këmbët e tua?
Këto zgjedhje i takojnë trajnerit. Të gjithë lojtarët duan më shumë minuta, por gjithçka vendoset nga ai.
Nëse në merkaton e janarit do të kishe marrë një ofertë nga ndonjë klub tjetër në vend, apo edhe jashtë në një tjetër kampionat, cila do të ishte zgjedhja juaj?
Si fillim do të bisedoja njëherë me stafin drejtues dhe më pas do të vendosja të ardhmen. Në fakt dua të theksoj se synimi im është të luaj jashtë Shqipërisë.
Në ndeshjen e ardhshme do të luani me Teutën në transfertë, ndërkohë që durrsakët ndodhen në vendin e 3-të. Jeni të gatshëm për të fituar këtë ndeshje?
Teutën e mundëm në Gjirokastër dhe do të tentojmë ta bëjmë përsëri në ndeshjen e ardhshme
Cila është pika më e fortë e kësaj skuadre dhe si është gjendja brenda grupit?
Pika më e fortë e kësaj skuadre është grupi. Janë një grup djemsh fantastik dhe përkrahim njëri – tjetrin në çdo rast.
Duke marrë parasysh ndeshjet e fundit që keni luajtur, sa larg mendoni se mund të shkojë Luaftëtari këtë sezon?
Ne do të mundohemi që në çdo ndeshje të marrim maksimumin. Normalisht që synimi nuk mbetet i vogël, pasi do të tentojmë përsëri një vend për në Europë.
Gara për t’u shpallur kampion është shumë e fortë. Kush mendoni se është skuadra që muna ta ngrejë trofeun në fund?
Për të vendosur se kush do të dalë kampion në fund të sezonit është shumë shpejtë për ta thënë diçka të tillë. Kampionati është i gjatë dhe ka akoma shumë ndeshje për t’u luajtur.
/Nazif ZYLALI/