Dy ditë më parë, bëri jehonë në media lajmi për talentin e ri 18-vjeçar, i cili kërkon të arrijë Kombëtaren Shqipare.
Daniel Cjapi, aktualisht luan me ekipin e Artës në Greqi si sulmues ose dhe qendërmesfushor. Ai është 18 vjeç dhe ka ëndërr dhe dëshirë të luajë për ngjyrat kuqezi. Së fundmi ka thënë “Jo” Greqisë dhe ka marrë telefonata të shumta nga klube të njohur të futbollit. Derby, Mansfield dhe Skënderbeu janë klubet e fundit që e kanë kontaktuar.
Newsport.al ka kontaktuar sulmuesin Daniel Cjapi duke marrë kështu një intervistë ekskluzive mbi planet dhe të ardhmen e futbollistit.
-Mund të na thoni dy fjalë për t’u prezantur dhe me publikun e gjerë për të cilin jeni akoma i panjour?
-Faleminderit juve për interesin e treguar ndaj meje. Unë quhem Daniel Cjapi, kam lindur në Fier në 15 dhjetor 1998 por jam rritur në Greqi aty ku edhe kam hedhur hapat e para në futboll.
-Kur ka lindur pasioni yt për futbollin dhe kur e kuptove që e ardhmja do i përkiste futbolli?
-(Qesh) Nuk besoj se ka djem të cilët nuk kanë pasion për futbollin që në fëmijëri. E tillë ka qrnë edhe ëndra ime por kur isha 8 vjeç kam luajtur me ekipin e parë “Ethnikos Filippiada F.C”.
-Çfarë pozicioni ke në futboll dhe ku po luan aktualisht?
-Aktualisht aktivizohem me ekipin e Artës dhe jam sulmues krahu. Gjithsesi kohët e fundit jam duke luajtur si qendërmesfushor dhe mendoj se e bëj mirë edhe këtë pozicion në fushën e lojës.
-Ke patur ftesa nga ekipe të tjera brenda dhe jashtë Greqisë?
-Po po kam pasur disa telefonata por momentalisht asgjë konkrete. Unë jam në pritje të ftesave dhe disa ekipe më kanë kontaktuar. Mund të them që nga Anglia, menaxheri im është kontaktuar nga Derby dhe Mansfield. Kam pasur kontak edhe me disa ekipe greke si Pas Janina apo Tripoli. Së fundmi para dy ditësh na kanë kontaktuar nga klubi i Skënderbeut.
-Cila është dëshira dhe ëndrra jote më e madhë në karrierën si futbollist?
-Një pyetje e lehtë për t’u përgjigjur në fakt, pasi çdo njeri që mban në vena gjakun Shqiptar, sigurisht që e ka ëndërr të bëjë diçka në të mirë të atij vendi. Ëndrra ime më e madhë është të bëhem pjesë e Kombëtares Shqiptare.
-Meqë dolëm te Kombëtarja Shqiptare, ka shprehur interes ndonjë nga drejtuesit e FSHF-së?
-Po po, kemi patur telefonatë dhe unë jam në pritje të një ftese fillimisht nga Kombëtarja U-19 por për momentin vetëm kaq. Shpresoj shumë që të vijë ftesa e shumëpritur pasi siç e thashë edhe më parë, ëndrra ime është të vesh fanellën kuqezi.
-Në përfundim do doje të shtoje diçka për lexuesit e newsport.al?
-Shumë faleminderit për interesin ndaj meje. Unë besoj se së shpejti do të jem pjesë në Kombëtaren Shqiptare dhe padyshim që do të jap maksimumin tim. Mua më mjafton të keni besim te unë dhe aftësitë e mia në fushën e lojës./Erald TANUSHI/ NEWSPORT.AL