Është prej 6 vitesh pjesë e Akademisë së Tiranës dhe tashmë sytë e tij shohin larg. Rastësia ka dashur që emrin ta ketë Kristiano ndërsa mbiemrin Mesi. Sulmuesi bardheblu ka dhënë një intervistë ekskluzive për newsport.al. Ka treguar se si rastësisht mban këtë emër duke zbuluar ëndrrat e tij. Është vetëm 17-vjeçar po shpreson që së shpejti të luajë jashtë vendit. Një ofertë tunduese nga Partizani? Përgjigja e tij është e një lojtari të madh.
– Fatin e ke pasur ta kesh mbiemrin Mesi, ndërsa emrin Kristiano. Pse pikërisht emrin e portugezit?
Është thjesht një rastësi, pasi emrin ma ka vendosur daja.
– Si ndiheni që mbani mbi shpinë emrat e dy legjendave të futbollit botëror?
Jam shumë i priviligjuar dhe shpresoj t’iu ngjaj sadopak atyre.
– Ju jeni pjesë e Akademisë së Tiranës dhe shiheni si një nga lojtarët e së ardhmes. Cilat janë objektivat e tua?
Jam i lumtur që jam pjesë e Akademisë së Tiranës. Është ende herët për të folur dhe fillimisht dua të punoj sa më fort që të arrij aty ku duhet. Shpresoj që të arrij të luaj në nivelet më të larta të futbollit.
– A jeni kaq i veçantë në fushë sikurse keni edhe emrin?
(Qesh) Të them po do të më thoni që jam mendjemadh. Të them jo, prap do paragjykohem. Ndaj zgjedh të them që golat e shënuar gjatë karrierës sime të deri tanishme më përshkruajnë mua në fushën e blertë.
– Ju jeni pjesë e Akademisë së Tiranës dhe shiheni si një nga lojtarët e së ardhmes. Cilat janë objektivat e tua?
Është përgjegjësi shumë e madhe të jesh pjesë e klubit të Tiranës pasi është 24-herë kampion i Shqipërisë. Të gjithë e dinë se sa vlen kjo fanelë dhe sa e rëndësishme është për klubin.
– Skuadra e parë nuk po kalon momente të mira. Në gjykimin tënd, çfarë i mungon bardhebluve?
Për mendimin tim skuadra po kalon një ngërç psikologjik. Jam i bindur që pas fitores bindëse kundër Kastriotit, tashmë do të shohim vetëm progres në ekipin e trajnerit Ard Mema.
– Ze Maria apo Ard Mema?
Mendoj dhe preferoj të zgjedh Ard Memën. Ai e njeh shumë mirë mentalitetin e futbollit shqiptar.
– Në çfarë pozicioni e sheh këtë skuadër deri në fund të sezonit?
Shpresoj që ta shikoj në pesë vendet e para.
– Si një lojtar i bardhebluve dhe duke qenë se marrëdhënia me tifozët është në pikë kritike, a ke diçka për t’i thënë “Fanaticsave”?
Di të them vetëm që Fanaticsat janë vlerë e çmuar e klubit të Tiranës. Ata janë tifozët më të mrekullueshëm në Shqipëri.
– Një pyetje paksa e vështirë për një lojtar me “gjak bardheblu”. Do t’i bashkoheshe skuadrës së Partizanit në rast të një oferte?
Unë kam 6 vite që jam pjesë e Akademisë së Tiranës. Por, ëndrra ime është të luaj në një nga klubet europiane. /Retin TOKA/