Arjola Prenga, volejbollistja e talentuar shqiptare, në një prononcim për newsport.al ka treguar skuadrën e saj, atë që synon në të ardhmen, dhe sigurisht emocionet që ka pasur teksa ka luajtur me kombëtaren. Gjithashtu 30-vjeçarja një pjesë të madhe të triumfit të saj në karrierë, ja dedikon dy prindërve të saj, të cilët ishin ata që e shtynë Arjolën drejt sukseseve të saj.
– Ku po luan aktualisht?
Momentalisht nuk kam firmosur akoma me asnjë ekip, por kam firmosur kontratën me një agenci turke kështuqë do zgjedhim opsionin më të mirë.
– Si do ta vlerësoje aventurën jashtë vendit?
Eksperiencën time jashtë Shqipërisë absolutisht që e vlerësoj, por sezonet e fundit në Norvegji kanë qenë edhe me më shumë ngarkesë, po ashtu edhe me trofe. Aktivizimi në kampionate me nivel dhe rivalitet të jep mundësinë të rritesh profesionalisht. Gjithmone më kanë tërhequr sfidat kështuqë të gjitha zgjedhjet që kam bërë janë bazuar tek synimet që klubi ka pasur.
– Po paraqitjen me kombëtaren?
Sigurisht që rikthimi në kombëtare për mua kishte shumë rëndësi. Çdo dëshirë dhe synim i sportistit, perveçse të ketë suksese me ekipin që përfaqëson, është pjesëmarrja në ekipin kombëtar. Pas shumë vitesh mungese dhe jo shumë ndeshjeve ndërkombëtare ekipi jonë bëri një paraqitje dinjitoze, personalisht e shijova në maksimum.
– Çfarë i mungon kampionatit shqiptar?
Kampionati shqiptar si ne volejboll, ashtu si në çdo lloj sporti ka shumë mangësi, megjithatë unë uroj që gjërat të ndryshojnë sa më shpejt dhe të punohet me seriozitet e përkushtim nga të gjitha palët.
– Cili ka qenë momenti më i bukur në karrierë?
Nuk mund të veçoj asnjë sepse çdo sezon dhe pjesëmarrje në kombëtare ka të veçantën e saj, sipas kompeticioneve që kam marrë pjesë.
– Volejbolli për ju është një traditë familjare. Çfarë mund të na tregosh më tepër për motrat Prenga?
E vërtetë, me dy prindër që të rinj luanin vetë sport, sigurisht që edhe ne u ” injektuam” me sportin. Është fat i madh që të treja ne dashuruam volejbollin dhe iu përkushtuam me mish e shpirt. Motrat Prenga jane tre vajzat e Franit dhe Vitores që kanë meritën kryesore për sukseset tona.
– Cilat janë planet për të ardhmen?
Asnjëherë nuk bëj plane për të ardhmen, fokusi im momentalisht është sezoni i ardhshëm.