Skënder Gega ndodhet në Antalia ku po stërvit intensivisht skuadrën e Partizanit për gjysmën e dytë të sezonit. Trajneri i të kuqve ka dhënë një intervistë për kanalin zyrtar të klubit ku është shprehur i kënaqur për paraqitjen e të tijve, ka thënë dy fjalë për afrimet e merkatos së dimrit, si dhe nuk ka lënë pa përmendur edhe tifozët. Për mbështetësit e Partizanit ai ka një mesazh të drejtpërdrejtë.
– Jeni i kënaqur me punën që ka zhvilluar grupi për gjatë gjithë kësaj periudhe?
Jemi jashtëzakonisht të kënaqur për punën, kushtet dhe shpresoj që kjo të na shërbejë në Shqipëri dhe të fillojmë kampionatin me ritmin e duhur.
– Si është gjendja e lojtarëve dhe sa të kënaqur jeni me afrimet e dimrit?
Deri tani skuadra ka punuar jashtëzakonisht mirë. Kemi punuar me dy seanca stërvitore. Kemi dashur të ingranojmë, të rikuperojmë sepse patëm dy faza mjaft të lodhshme, mjaft të vështira. Aq më tepër kur je kryesues dhe do të mbash të njëjtin ritëm. Unë jam shumë i kënaqur nga stërvitja, impenjimi, disiplina. Kushtet janë shumë të mira për fazë përgatitore. Kemi bërë ndeshje të mira me kundërshtarë të fortë. Për mua s’është i rëndësishëm vetëm rezultati por edhe performanca, pra paraqitja e tyre. Kështu krijojmë ide të qarta për gjendjen e futbollistëve.
– Në Antalia keni zhvilluar tre ndeshje miqësore. Jeni i kënaqur nga rezultati apo loja e zhvilluar nga skuadra?
Në çdo ndeshje qoftë zyrtare apo miqësore, qëllimi kryesor është që të luhet mirë futboll, pra të paraqitet mirë. Të punosh në ato detaje që ti ke nevojë, taktikisht apo teknikisht. Të ndërtosh një strategji si ti do luash në kampionat, aq më tepër kur ka edhe lojtarë që vijnë e i bashkohen grupit. Do kemi kohë dhe uroj ata që të adaptohen më shpejt.
– Viti i ri nis me përballjen në Kupë kundër Kastriotit…
Duhet të ndërtojmë një mentalitet që çdo ndeshje miqësore apo zyrtare, të ketë një koncept që të shihet çdo gjë me seriozitet. Patjetër që Kupa është një nga qëllimet tona, paralel me kampionatin. Në Kupë kemi hapësirë më të madhe pasi do të luajmë dy ndeshje. Shpresojmë të marrim rezultate pozitive.
– Mesazhi juaj për tifozët e shumtë të Partizanit?
Është shumë e rëndësishme, ndoshta ka qenë faktor edhe i suksesit tonë mbështetja e jashtëzakonshme e tifozëve tanë. Është luksi i madh dhe privilegj i madh të kesh gjithë ata sportdashës që nuk i ndahen skuadrës. Mesazhi im si trajner është që jemi në rrugën e duhur, po bëjmë maksimumin. Atë që kemi ne do e japim në fushë. Duam mbështetjen e tyre sepse pa ata do të kemi shumë mangësi. Gjithsesi do ia lëmë kohës dhe shpresoj që t’ia shpërblejmë.