Zërat e fundit të merkatos e dërgojnë Liridon Latifin e Skënderbeut në Serinë A te Lacio.
Duket se është diçka më shumë se thjesht një thashethem. Siç e ka konfirmuar presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, interesi i Lacios për talentin 23-vjeçar është konkret.
Ndërkohë që për këtë temë ka folur për “Radiosei” në Itali edhe Andrea Agostineli, ish-trajneri i Skënderbeut dhe Partizanit, njëkohësisht ish-futbollist i Lacios.
“Lacio mund të jetë vërtetë e interesuar për Latifin. Unë e njoh mirë atë, ashtu si Tare. E lashë në stol disa ndeshje gjatë fazës së dytë të kampionatit kur isha te Skënderbeu, sepse i nevojitej. Është një super talent. Ka shpejtësi dhe teknikë të shkëlqyer.
Kur e ula në stol, të gjithë në Shqipëri u habitën, më pas Latifi u rikthye në super formë dhe të gjithë më dhanë të drejtë për vendimin që mora.
Ulja në stol i bëri mirë. Latifi më falënderoi për atë çka bëra për të dhe për mënyrën se si menaxhova situatën”, shprehet Agostineli.
Më pas, ish-trajneri i Skënderbeut e pranon se Latifi është gati për Serinë A. “Po flasim për një super talent që është gati të luajë në Itali. Nuk po them se mund të jetë direkt titullar, por ka dy sezone që po luan shkëlqyeshëm dhe ishte protagonist në sfidat e eliminatoreve të Champions League.
Gjithsesi, duhet parë se si do të përshtatet në Itali. Latifi luan nga krahët, sidomos në të majtë, aty ku mund të bëhet i rrezikshëm me të djathtën e tij.
Me shpejtësinë që ai zotëron mund të bëjë vrapim deri në 30 metra me top në këmbë. Në organikën që ka aktualisht Lacio, Latifi do të ishte alternativa e parë për të zëvendësuar Keita-n dhe Felipe Anderson. Më mirë preferoj Latifin, sesa Lusi Alberto-n”, tha Agosntineli për “Radiosei”./ NEWSPORT.AL