Arlind Kalaja ka qenë padiskutim një nga protagonistët absolut të ekipit të Vllaznisë në ndeshjet e fundit. 22-vjeçari ka shënuar në dy ndeshje rradhazi ku në fillim shënoi në kupë kundër Tiranës dhe më pas në kampionat kundër Kamzës ku edhe dhuroi një asist. Për Newsport.al, mesfushori me tipare sulmuese flet për formën e mirë që po kalon, ekipin e Vllaznisë dhe situatën e kuqebluve si edhe ndeshjen e rradhës kundër Partizanit.
– Si ndihet Kalaja pas zhbllokimit në kampionat ku shënoi kundër Kamzës ?
Normalisht goli është ai që i jep “krahë” çdo lojtari. Është një ndjesi shumë e mirë dhe që me motivon dhe më shtyn që të punoj akoma më tepër. Uroj që të mos ndalem me kaq.
– 2 gola në 72 orë. Mendon se e ke bindur trajnerin Gjoka për të të besuar një vend titullari në ndeshjet në vazhdim ?
Unë jam munduar që të jap gjithmonë më të mirën për ekipin kur jam aktivizuar. Do vazhdoj që të bëj gjithmonë më të mirën dhe maksimumin. Për të tjerat nuk është në dorën time.
– Vllaznia vuan mund të themi për një sulmues qendre. Sa i gatshëm është Kalaja që të bëjë një rol të tillë në ekipin kuqeblu ?
Pozicioni im natyral është sulmues i dytë ose sulmues krahu. Por më parë kam luajtur edhe për Vllazninë si një sulmues qendre. E kam provuar veten më majën e sulmit dhe do sakrifikoja sërish për ekipin nëqoftëse më kërkohet.
– Mendoni se sukseset me Tiranën dhe Kamzën e kanë kthyer ekipin në rrugën e duhur ?
Them se këto tre pikë që morëm kundër Kamzës ishin një oksigjen i rëndësishëm për ekipin. Edhe me Tiranën u paraqitëm mirë por na penalizoi rezultati në ndeshjen e parë. Këto fitore kanë rritur ndjeshëm anën psikologjike të ekipit si dhe kanë shtuar “urinë” për ndeshjet e ardhshme.
– Sa do jetë e aftë Vllaznia që të mos përsërisë sezonin e kaluar ?
Ajo e sezonit të kaluar ishte një situatë e sikletshme të cilën nuk duam ta përsërisim. Do japim më të mirën që ajo situatë të mos përsëritet dhe në fund të jemi të qetë.
– Tani afrohet merkato e janarit dhe emri juaj shpesh ka qarkulluar për një lëvizje jashtë vendit. So jetë Kalaja pjesë e Vllaznisë deri në fund të sezonit ?
Për momentin nuk mendoj fare për merkaton. Për të do flasim gjatë janarit. Tani jam i fokusuar vetëm kundër Partizanit dhe asgjë më tepër.
– Çfarë prisni në ndeshjen kundër Partizanit që mbyll edhe vitin ?
Uroj që ta mbyllim me fitore këtë vit futbollistik. Besoj që do ia dalim ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme. /Endri ÇINARI/