Trajneri i Tiranës, Ilir Daja ka folur menjëherë pas ndeshjes në mikrofonin e Supersport, duke bërë analizën e ndeshjes. Tekniku bardheblu deklaroi:
“Pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë. Kemi mbajtur kundërshtarin në presion, ku kishim edhe raste për shënim, por që nuk i shfrytëzuam si duhet. Pjesën e dytë ia lamë të bënin lojën e tyre pasi afrikanët nuk janë në formën e duhur. Vonuam pak ndërrimet. Kemi humbur pasin e dytë dhe të tretë dhe do të thotë që atë kontigjent që kemi nuk e kemi shfrytëzuar mirë. Lamë kundërshtarin bosh, Ramadanin, duke i lënë hapësira. Ne kishim ardhur për ta fituar ndeshjen, por me atë që u prodhua në lojë, barazimi ishte rezultati i drejtë.
Dhjetë ndeshje pa fituar? Partizani ka 20 e ca vjet pa fituar titullin. Është bonus shumë i madh për ta fituar derbin, por pikësynimi jonë është fitimi i kampionatit.
Merveille na ka dëmtuar, pasi ai kishte probleme muskulare. Efikasiteti i tij nuk ishte njësoj si në pjesën e parë. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Edhe një sulmues potent do të na kishte bërë shumë punë në këtë ndeshje.
Moise- Në fakt ndërrimet janë vonuar për arsye tjetër. Edhe Muça, edhe Merveille ishin të dëmtuar, prandaj nuk e zëvendësova. Kisha frikë se mos qëndronim në fushë me dhjetë lojtar në fund, në qoftë se do të kisha bërë zëvendësimet. Mbrojtësi i djathtë i Partizanit nuk shtynte shumë para dhe prandaj nuk bëra zëvendësimin e tij, pasi futbollisti i kuq nuk e superonte krahun e djathtë.
Rënia fizike- Nuk është vetëm rënia fizike, por elementi fiziko taktik që do të thotë që sa herë humb pasin, humb energji të panevojshme. Shpesh kemi humbur pasin e dytë dhe të tretë dhe kjo bëri që gjendja fizike të binte në pjesën e dytë.
Katër ndeshje, katër barazime– Kemi bërë tre transferta, kemi pasur shumë mungesa. Edhe sot kishim 7-8 lojtarë që nuk i kishim në dispozicion si Muzaka, Lika etj. Na janë mohuar dy penallti që nuk na janë dhënë.
Njeriu gol- Nuk kemi një sulmues si tipi i Salihit që me topat që çohen në zonën kundërshtare të shfyrtëzohen si duhet. Shpresoj që Bajrami ose Cisse të arrijnë të shfrytëzojnë rastet që do t’u jepen”.