Fitorja ndaj Teutës i ka gëzuar të gjithë korccarët por gjithashtu pafund edhe trajnerin e Skënderbeut, Ilir Daja.
Për Supersport ai ka folur pas ndeshjes.
“Mendoj se e nisëm mirë takimin, duke shkuar edhe te goli, pa nënvlerësuar faktin që Teuta po luante në mënyrë frontale, sepse e nisi me dy sulmues ndeshjen. Goli na dha qetësi, kartoni i kuq për Teutën ishte një plus i madh. Ajo që nuk funksionoi në këtë ndeshje ishin gabimet para porte, sepse një gol i dytë do të na jepte qetësi, ne në stol dhe lojtarëve.”
Pavarësisht renditjes së Tiranës, duke u nisur nga fakti që lufton për mbijetesë, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe do të jetë gabim i madh nëse mendojmë për ndeshjen pasardhëse kundër Kukësit.
Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë ta fitojë titullin, por në radhë të parë duhet të marrë seriozisht ndeshjen kundër Tiranës, ndërsa më pas do të kemi mundësi të mendojmë për ndeshjet me rivalët tanë.
Kampionati është i bukur kur shkon deri në javën e fundit, ndërsa për ne trajnerët është mirë të mbyllet edhe më shpejt. Nëse e fiton në javën e fundit, nuk të vjen keq për gjithë lodhjen, stresin dhe punën e sezonit”, përfundoi Daja.