Gugash Magani ka deklaruar zyrtarisht largimin nga radhët e skuadrës bregdetare, ku eksperienca e dytë si trajner i vlonjatëve ka qenë e hidhur, më e hidhur se ajo në sezonin 2010-2011. Krijoi grupin, por nuk pati dikë që të mbante ekipin në tonus përsa i përket anës financiare, duke e detyruar që të largohet në këtë mënyrë.
Mirëpo, në skenë ka dalë oferta e parë, ajo e drejtuesve të Teutës, të cilët e kanë shprehur këtë gjë në mënyrë të hapur që në fund të javës së pestë të kampionatit. Veç durrsakëve, terren që Magani e njeh shumë mirë, tashmë në skenë është një tjetër ekip.
Mësohet se Skënderbeu është i interesuar për teknikun peqinas. Rezultatet e javëve të fundit nuk kanë bindur drejtuesit e klubit korçar, ndërsa Andrea Agostinelli duket se kusht për vazhdimësinë ka fitoren me Partizanin. Në rast të kundërt, pritet që të ketë një ndryshim emri në pankinë.