Sfida e parë e turit të tretë kualifikues të Europa League mes Torpedo Kutaisi dhe Kukësit, e mbyllur me fitoren e vendasve me rezultatin 5-2, u kthye gati-gati në një incident diplomatik mes dy vendeve. Kjo për shkak të problemeve me vizat për katër lojtarë të verilindorëve, të cilëve iu refuzua fillimisht hyrja në shtetin kaukaz.
Rexhinaldo, Et’hemi dhe Maliqi nga Maqedonia dhe Fatjon Maloku nga Kosova iu refuzua fillimisht viza nga autoritetet e ish-republikës Sovjetike, me lojtarin afrikan dhe atë kosovar që në fund iu mundësua udhëtimi me skuadrën.
Por a mund të “hakmerret” shteti shqiptar në ndeshjen e kthimit për këtë sjellje. Natyrisht që diçka e tillë do të ishte jo e hijshme nga ana jonë dhe autoriteteve të shteti shqiptar, por teorikisht nëse pala e Torpedos nuk plotëson si duhet dokumentacionin e nevojshëm, shteti ynë mund të bllokojë ardhjen e dy lojtarëve të gjeorgjianëve në Tiranë. Bëhet fjalë për senegalezin Arfang Dafe dhe lojtarin nga Surinami Gleofilo Hasselbaink, me këto dy futbollistë që janë të vetmit që kanë nevojë për vizë hyrëse në vendin tonë.
Pjesa tjetër e skuadrës kundërshtare është homogjene me lojtarë vendas ose nga vende Europianë që nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Ndërkohë përsa i përket pjesës së mikpritjes, mbetet për t’u parë nëse klubi i Kukësi do të mbajë fjalën e dhënë për reciprocitet apo do të ruajë traditën shqiptare të mikpritjes së mikut. Kujtojmë se zyrtarët e klubit verilindor nuk morën pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga drejtuesit e Torpedos, një traditë kjo në ndeshjet me sistem vajtje-ardhje në kupat Europiane.