Dy lojtarë të Torpedos nuk janë pajisur me vizë hyrëse për në Shqipëri, me gjeorgjianët që e kanë përmendur menjëherë këtë fakt ditën e sotme për t’iu kundërvënë verilindorëve dhe akzuave të tyre për ndeshjen e parë.
Në konferencën për shtyp të trajnerit të Torpedos ditën e sotme, ai ka deklaruar se kjo nuk do të jetë justifikim për takimin e nesërm, ndryshe nga Kukësi që e cilëson problemin me vizat e lojtarëve në ndeshjen e parë si një nga faktorët kyç që ndikuan në humbjen 5-2 në Gjeorgji.
“Ne nuk jemi përgjegjës për ambasadën, jemi klub. Ne kemi informuar ambasadën dhe kërkuam ta zgjidhim problemin, ndërhymë për ta rregulluar, madje po ju them se edhe ne kemi probleme me 2 lojtarë, që nuk kanë marrë vizën shqiptare. Arfang Dafe, që është nga Senegali, dhe Gleofilo Hasselbank, nga Surinami, kanë aplikuar që më datë 2 gusht, por nuk janë pajisur me vizë. Ne nuk akuzojmë as klubin e Kukësit dhe askënd, janë thjesht procedura”, tha trajneri gjeorgjian.
Në këtë mënyrë duket se autoritet shqiptare janë hakmarrë ndaj atyre gjeorgjiane, duke u mohuar vizat dy lojtarëve që kishin nevojë për një të tillë për të hyrë në Shqipëri. Vetëm disa ditë më parë newsport.al paralajmëroi mundësinë e një zhvillimi të tillë, duke e cilësuar si një mundësi potenciale për të t’u kthyer reston gjeorgjianëve për vizat e mohuara të lojtarëve verilindorë para një jave.